Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se bashkimi me Presidenten Vjosa Osmani, do të ishte i dobishëm për vendin.
Megjithatë, ka shtuar se bisedimet për këtë do të bëhen tek pasi asaj t’i përfundoj mandate, me 4 prill.
Deklarata e tij vjen në kohën kur po flitet për një rikthim të mundshëm të Osmanit në LDK, opsion që nuk e ka përjashtuar as vetë ajo.
“Përderisa zonja Osmani është presidente e vendit, dhe për 25 ditët e ardhshme, i bëjmë nder Republikës dhe institucionit nëse nuk e përfshijmë në çështje partiake. Pas kësaj kohe, mund te flasim me specifikisht. Padyshim, përbashkimi eventual në një vizion të përbashkët do të ishte i dobishëm për vendin”, ka thënë Abdixhiku në një përgjigje për Koha.net.
Në një postim më herët gjatë ditës, Abdixhiku tha se do të nis bashkimin e madh politik e qytetar rreth një projekti të përbashkët.
“Një projekti që tejkalon secilin prej nesh. Që tejkalon dallimet e vogla, ambiciet e mëdha dhe hidhërimet e së shkuarës. Ato në kohë krizash e përballë fateve të mëdha të së ardhmes, bëhen krejtësisht të parëndësishme”, shkroi ai.
Në një intervistë që dha të hënën, Osmani nuk e ka përjashtuar si opsion rikthimin në partinë, pjesë e së cilës ishte për vite me radhë.
E pyetur specifikisht nëse është opsion rikthimi në LDK, Osmani deklaroi se “do ta shoh se cili është interesi më i madh i Republikës së Kosovës në këto momente. Kjo do të determinohet edhe nga zhvillimet e tanishme”.
Në qershorin e vitit 2020, kryesia e LDK-së e shkarkoi Osmanin nga të gjitha postet partiake, për shkak të kundërshtimeve të shprehura lidhur me prishjen e koalicionit qeverisës me LVV-në dhe kundërshtimit të krijimit të qeverisë së udhëhequr nga Avdullah Hoti.
