KQZ e pezulloi si parti, AKR thotë se kuvendin pritet ta mbajë në mes të prillit

KQZ e pezulloi si parti, AKR thotë se kuvendin pritet ta mbajë në mes të prillit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur sot pezullimin e partisë politike Aleanca Kosova e Re (AKR) për shkak të mosmbajtjes së kuvendit zgjedhor brenda afateve ligjore.

U.d. i kryetarit të AKR-së, Vesel Makolli, i tha Klankosova.tv se arsyeja e mosmbajtjes së zgjedhjeve të brendshme ka qenë rastisja me dy cikle zgjedhjesh në vitin e kaluar, ato lokale dhe ato qendrore.

“Rastisen dy palë zgjedhje, ato lokale dhe qendrore, prandaj nuk mundëm me e mbajtë kuvendin zgjedhor brenda afatit katërvjeçar deri më 24 shkurt. Sipas ligjit për partitë politike, AKR-ja pezullohet dhe brenda 45 ditëve duhet të mbajë kuvendin. Pezullimi do të thotë që, nëse zgjedhjet do të mbaheshin ndërkohë, ne nuk mund të konkurrojmë si parti e vetme me listën tonë, ndërsa në listë me ndonjë parti tjetër mund të garojmë, siç kemi bërë në zgjedhjet e fundit”, tha ai në një përgjigje për Klankosova.tv

I njëjti bëri të ditur se AKR planifikon që ka mesi i muajit prill të mbajë Kuvendin Zgjedhor.

“Përndryshe, partia funksionon dhe planifikojmë që deri në mes të prillit të mbahet kuvendi zgjedhor”, tha Makolli.

Related Articles