Kurti flet për takimin me Macronin: Fokus ishte roli i NATO-s në Kosovë e raportet me Serbinë

Kurti flet për takimin me Macronin: Fokus ishte roli i NATO-s në Kosovë e raportet me Serbinë

Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë ka deklaruar se në takimin e mbajtur të premten me presidentin francez, Emmanuel Macron në Pallatin Elysee janë theksuar tri shtylla kryesore; integriteti i Kosovës në Bashkimin Evropian dhe organizata ndërkombëtare, roli kyç i NATO-s në sigurinë e vendit, si dhe nevoja për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe menaxhimin e marrëdhënieve me Serbinë. 

Kurti ka thënë se takimi ka zgjatur rreth dy orë dhe është karakterizuar nga një diskutim i hapur dhe i drejtpërdrejtë.

“Pasditen e së premtes isha mysafir i presidentit të Francës, Emmanuel Macron, në një takim dhe drekë pune në Pallatin Elysee. Pritja u përcoll me një diskutim të sinqertë për rreth dy orë që u përqendrua në tema të bashkëpunimit dhe integrimit, të sigurisë e të mbrojtjes, si dhe të ekonomisë dhe zhvillimit. Me presidentin Macron biseduam për rrugën tonë drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe në organizata të tjera ndërkombëtare. Pastaj për rolin e rëndësishëm dhe të vazhdueshëm të NATO-s në Kosovë, për bashkëveprimin me aleatët veriatlantikë dhe për sigurinë rajonale në Ballkan. Forcimi i kapaciteteve mbrojtëse dhe raportet me fqinjin verior të Kosovës ishin çështje që në kontekst të sigurisë së vendit tonë, i diskutuam me presidentin francez”, ka thënë Kurti. / Gazeta Enigma.

Related Articles