Sinani: Serbia po përdor metoda moderne, për spastrim etnik të shqiptarëve

Sinani: Serbia po përdor metoda moderne, për spastrim etnik të shqiptarëve

Kryetarja e komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ngriti alarmin nga Tirana, ku ndodhet për samitin e diasporës, për përkeqësimin e situatës së shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Sinani theksoi se po përdoren metoda moderne të spastrimit etnik në heshtje, që po çojnë në zbrazjen e tre komunave Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

“Tani shtypja e shkeljes sistematike ka filluar me përmasë të madhe. Serbia po përdor metoda moderne të spastrimit etnik në heshtje, duke nxitur një shpërngulje të madhe jo vetëm me pasivizimin, por më e fundit që është shumë shqetësuese dhe shërbimi i detyrueshëm ushtarak” tha ajo në Ditarin e pasdites me Pandi Gjatën në Dita Jonë në A2 CNN.

Sipas saj, diskriminimi serb ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës ëhstë edhe në aspektin ekonomik e financiar, teksa përmendi edhe mungesën e investimeve dhe pengesat për bizneset vendore dhe investitorët e huaj.

“Serbia tenton të përjashtojë shqiptarët nga çdo nivel aty ku kërkohet drejtësi, barazi, zhvillim ekonomik, kufizon me mjete financiare, nuk ka rritur transfertat në nivelin qeveritar ndaj komunave. Përkundrazi na obligon që të rrisim pagat. Është dashur që këtë vit edhe të rrisim diku 35% më tepër të shtohet pozicioni i pagave. Shpenzimet janë shtuar, ndërsa investimet kapitale, por edhe mjetet e dedikuara nga niveli qëndror jo vetëm që i kufizon, por edhe i shkurton. Realisht mund të them që vetëm në këtë periudhë diku prej 91 milionë dinarëve, kemi konkurruar si komunë e Preshevës në ministritë përkatëse të linjave me projekte të ndryshme infrastrukturore dhe nga ato vetëm 9.5% janë realizuar. Shifrat flasin vetë shkallën e diskriminimit jo vetëm të aspektit social, por edhe të atij ekonomik. edhe mospërfillja apo dhe mospërkrahje e bizneseve vendore. Dhe pavarësisht pozitës gjeostrategjike me të cilën gjendet komuna Preshevës shtypja vazhdon në çdo nivel të jetës, jo vetëm në këtë të drejtave, por edhe të atij ekonomik edhe financiar, por edhe nuk i siguron klimë të përshtatshme për tërheqjen e investitorëve të huaj”.

Sinani vlerësoi mbështetjen e Kosova dhe Shqipëria në ndërkombëtarizimin e çështjes, por kërkoi hapa më konkretë dhe koordinim më të madh mes Tiranës dhe Prishtinës për avancimin e të drejtave të shqiptarëve në jug të Serbia.

“Viteve të fundit kemi një ndihmë jashtëzakonisht shumë të madhe nga Republika e Kosovës, sidomos me funksionalizimin ose institucionalizimin e linjës buxhetore për luginën e Preshevës edhe Shqipëria, shteti shqiptar ka luajtur rol të rëndësishëm sidomos në afirmimin e pozitës së shqiptare të luginës së Preshevës në vendet kyçe, sidomos në Uashington, në Parlamentin e Evropës, në Këshillin e Evropës duke sensibilizuar pozitën tonë, duke paraqitur gjendjen e sidomos me pasivizimin e adresave që kanë ngritur zërin dhe kanë paraqitur, kanë argumentuar çështjen e pasivizimit. Por jo vetëm këto, të gjitha këto modele normal që duhet të jenë në koordinim dy shtetet tona. Dikur janë premtuar ndihma me libra në gjuhën shqipe. Pa dyshim edhe nga Shqipëria ka qenë një ndihmë për maternitetin e Preshevës. Mos gaboj unë pas vizitës së kryeministrit Rama. Çfarë ka nevojë në luginën e Preshevës nga Tirana edhe nga Prishtina apo kryesisht nga Tirana se dhe Prishtina është në është në një pozitë edhe të paqartë për shkak të raportit mes Kosovës edhe Serbisë për një marrëveshje të pambyllur. Raportet e miqësisë së mirë mes Shqipërisë dhe Serbisë normal që duhet të konkretizohen dhe në avancimin e të drejtave, pavarësisht aspektit financiar. Është shumë e rëndësishme dhe jetike ndihma të cilën po e jep shteti i Republikës së Kosovës, e cila nuk ka qenë asnjëherë më parë kaq intensive dhe në një vlerë kaq të lartë. Këto shembuj normal që duhet të merren jo vetëm nga shteti i Shqipërisë por edhe nga diaspora, apo dhe nga Maqedonia e Veriut domethënë është për t’u vlerësuar”, tha ajo.

Ajo paralajmëroi se, pavarësisht marrëveshjeve të nënshkruara ndër vite, Beogradi nuk i ka zbatuar ato, ndërsa situata aktuale është më e rëndë se dekada më parë.

“Kur e përmenda se Beogradi ka përfaqësuesit e zgjedhur të Luginës së Preshevës të nënshkruar me ndërmjetësim faktorin ndërkombëtar tre marrëveshje të vitit 2001, marrëveshjen e Konçurit të vitit 2009 të bashkërendimit të trupit koordinues dhe plani shtatë pikësh të 2013-s, jo që nuk ka implementuar, por gjendja është përkeqësuar realisht mund të themi se pozita shqiptare e luginës së Preshevës është më e vështirë, më e keqe dhe më e rënduar se në vitet ‘70”, deklaroi Sinani.

Në prag të zhvillimeve politike në Serbi, Sinani theksoi nevojën që faktori politik shqiptar të bashkohet për të siguruar përfaqësim më të fortë në parlament, ndërsa shprehu skepticizëm për ndryshime të shpejta në politikën serbe ndaj shqiptarëve.

Related Articles