Emri i presidentit ende askund – Takimet e Kurtit me opozitën për unitet sa për “sy e faqe”

Emri i presidentit ende askund – Takimet e Kurtit me opozitën për unitet sa për “sy e faqe”

Çështja e zgjedhjes së presidentit të ri për partinë në pushtet, siç duket, po bëhet një ‘sport ekstrem’, shkruan Gazeta Enigma. Përkundër përpjekjeve për unitet me partitë nga ana e kryeministrit, Albin Kurti, duket se ende s’ka asgjë konkrete.

Në fillim të muajit prill, i është përfunduar mandati 5-vjeçar Vjosa Osmanit, shkruan Gazeta Enigma.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, shpalosi dy emra, Glauk Konjufcën dhe Fatmire Kollçakun nga LVV – por i dështuan.

Kurti ka zhvilluar takim me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhikun, por që diskutimet mes dyshes nuk e gjetën ‘mesin e artë’.

Pas dështimit të takimit të parë, kreu i LVV-së i ka dërguar edhe një ftesë tjetër kreut të LDK-së, ndonëse Kurti i ka dërguar ftesa edhe PDK-së, por që nuk ka caktuar ndonjë datë konkrete për takim.

Vendi ka kohë edhe një javë, ose përndryshe do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Kurti nuk po i ‘ndahet’ Abdixhikut

Njohësi i çështjeve politike, Arton Muhaxheri, thotë se përpjekjet e Kurtit për takime me kreun e LDK-së nuk shihen si serioze.

“Ftesat e njëpasnjëshme të Albin Kurtit, drejtuar Lumir Abdixhikut për takime rreth çështjes së presidentit, nuk mund të shihen si përpjekje serioze për konsensus politik. Përkundrazi, ato japin përshtypjen e një qasjeje selektive dhe të njëanshme, ku liderët e tjerë të partive politike po anashkalohen qëllimisht nga kryeministri. Një qasje e tillë e ngushtë nuk i shërben zgjidhjes së një çështjeje kaq të rëndësishme shtetërore siç është zgjedhja e presidentit, e cila kërkon gjithëpërfshirje dhe përgjegjësi politike nga të gjithë akterët relevantë”, tha Muhaxheri për Gazetën Enigma.

“Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, krah për krah anëtarëve të LDK-së”

Muhaxheri theksoi se afërsia e Osmanit me figurat e LDK-së tregon një dinamikë të re politike.

“Në të njëjtën kohë, lëvizjet e fundit në terren, ku Vjosa Osmani është parë në takime me qytetarë së bashku me figura të LDK-së, tregojnë për një dinamikë të re politike dhe përpjekje për ripozicionim në skenën politike. Kjo vetëm sa e thellon dyshimin se zhvillimet aktuale nuk janë të rastësishme, por pjesë e një kalkulimi më të gjerë politik. Në thelb, zhvillimet e fundit rreth zgjedhjes së presidentit duken më shumë si përpjekje e Lëvizjes Vetëvendosje për të krijuar një perceptim të rremë të vullnetit për zgjidhje, ndërkohë që fokusi real mbetet te përgatitja e terrenit për zgjedhje të reja pa marrë përgjegjësi para opinionit publik. Kjo strategji mund të jetë e dobishme në afat të shkurtër për kalkulime partiake, por dëmton seriozisht besimin qytetar në institucionet dhe proceset demokratike”, përfundoi Muhaxheri për Enigmën.

“Kurti po angazhohet ta fajësojë Lumir Abdixhikun”

Ndërkohë, Dardan Sejdiu thotë se sipas zhvillimeve të fundit, kryeministri Albin Kurti po angazhohet që t’ia lërë fajin dikujt.

“Z. Kurti krejt angazhimin tash e tutje do ta ketë t’ia lërë fajin dikujt dhe unë besoj shumë, prej të kaluarës, që fajin do të mundohet t’ia lërë Lumir Abdixhikut dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Loja është fare e thjeshtë, është lojë e fajësimit, nuk është më lojë e gjetjes së rrugës përpara. Po më pengon lehtësia me mënyrën se si z. Kurti i trajton, me një lloj goxha ofendues, këtë idenë se ‘unë kur të dua mund të bëj ofertë ty, e ti duhet ta pranosh’”, u shpreh Sejdiu.

Analistja e çështjeve politike, Afërdita Maliqi, ka kritikuar ashpër veprimet e kryeministrit Albin Kurti dhe LVV-në, duke thënë se LDK-ja nuk duhet të hyjë më në bashkëqeverisje me ta.

Maliqi tha se dyshon se Kurti mund të ketë qëllime të tjera ndaj Abdixhikut dhe LDK-së në përgjithësi.

“Kemi të bëjmë me një lojë të Kurtit dhe me një problematikë, në zgjedhje me thënë që ‘unë i ofrova të gjitha mundësitë, tash nuk kam çfarë të bëj’. Komplet fajin e la te partitë opozitare. E pamë se si doli LDK-ja. Të gjithë e dimë që Kurti në atë kohë i kishte bërë ftesë Lumirit. Tash kur LDK-ja ka rënë në 15 deputetë, edhe pse nuk e nominoi Vjosa Osmanin, deputetët e Guxo asnjë nuk lëvizi, sepse po i shikojnë interesat e veta politike, dhe këtu dyshoj që ka qëllim të mirë Kurti ndaj Abdixhikut ose ndaj LDK-së”, potencoi Maliqi.

Ndër të tjera, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se është në komunikim me kryetarët e partive në opozitë.

Kurti ka thënë se kur ka rezultate, do të njoftojnë me kohë.

“Jemi në komunikim me kryetarët e partive opozitare, kur ka rezultate ju njoftojmë”, tha Kurti. /Gazeta Enigma/

Related Articles