Vetëm brenda muajve të parë të vitit 2026, tetë persona kanë humbur jetën në vendin e punës në Kosovë, shumica prej tyre në sektorin e ndërtimtarisë, shkruan Gazeta “Enigma”. Kjo gjendje i ka shtyrë autoritetet, Ministrinë e Punës dhe Inspektoratin e Kosovës, që të nisin një aksion të inspektimeve nëpër vende pune të ndryshme me qëllim të kontrollit të nivelit të sigurisë dhe shëndetit në vendet e punës.
Rasti më i fundit është shënuar në Shtime më 15 prill, ku një punëtor humbi jetën gjatë kryerjes së detyrave në vendin e punës.
Policia e Kosovës, përmes raportit 24-orësh, ka dhënë detaje për vdekjen e një personi në vendin e punës në Shtime. Lidhur me këtë rast, një person është arrestuar dhe dërguar në mbajtje për 48 orë.
“Rr. Industria, Shtime, 15.04.2026 – NN. Është raportuar se viktima, mashkull kosovar, ishte dërguar në emergjencën e Ferizajt për trajtim mjekësor, pasi që i njëjti dyshohet se, derisa ka qenë duke punuar në një kompani, kishte pësuar lëndime të rënda trupore dhe nga mjeku është konstatuar vdekja e tij. Njësitë relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke e hetuar rastin. Lidhur me rastin, një person mashkull kosovar, me vendim të prokurorit, është arrestuar dhe dërguar në mbajtje për 48 orë, kurse trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion”.
Kërkohet reagim institucional
Shoqata e Ndërtimtarëve të Kosovës, përmes një reagimi publik, kanë shprehur shqetësimin e thellë për ndikimin e pasigurisë politike në sektorin e ndërtimtarisë dhe stabilitetin makroekonomik të vendit.
“Shoqata e Ndërtimtarëve të Kosovës shpreh shqetësimin e saj të thellë për zgjatjen e pasigurisë politike dhe ndikimin e saj të drejtpërdrejtë në stabilitetin makroekonomik dhe klimën e të bërit biznes në vend, veçanërisht në sektorin e ndërtimtarisë”, theksojnë ata.
“Në një moment kritik, kur ekonomia e Kosovës ka nevojë urgjente për reforma strukturore, zhvillim të qëndrueshëm urban dhe rritje të investimeve kapitale, vendi po përballet me një ngërç institucional që po pengon vendimmarrjen strategjike dhe realizimin e projekteve zhvillimore. Sektori i ndërtimtarisë, si një ndër shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik, është drejtpërdrejt i ndikuar nga mungesa e stabilitetit politik, duke reflektuar në ngadalësimin e investimeve, shtyrjen e projekteve dhe rritjen e pasigurisë për investitorët dhe kompanitë vendore”, thuhet në reagimin e tyre.
Shoqata kërkon një zgjidhje të menjëhershme dhe konsensuale për çështjet institucionale, duke u bërë thirrje forcave politike të shmangin një cikël të ri zgjedhjesh dhe të fokusohen në stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
Vdekjet në vendet e punës – Inspektorati i Punës nisë aksionin në tri komuna
Inspektorati Qendror i Punës të enjten ka dalë në terren për të inspektuar bizneset në tri komuna: Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Ferizaj, lidhur me sigurinë e punëtorëve.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Inspektoratit Qendror, Kastriot Jashari, deklaroi para mediave se qëllimi i këtij inspektimi është rritja e sigurisë për të gjithë qytetarët.
“Bizneset, subjektet afariste, për ne janë partnerë, por partneriteti ka edhe obligime dhe respektim të normave ligjore. Në kuadër të kësaj, ne po përpiqemi t’i ndryshojmë disa praktika në mënyrë që të dihet qartë respektimi i kushteve të sigurisë së punës për të gjithë qytetarët”, deklaroi Jashari.
Jashari theksoi se inspektimet do të bëhen kryesisht te bizneset me profil të rrezikshmërisë së lartë.
Policia e Kosovës, në një përgjigje për Gazetën Enigma, ka dhënë detaje për asgjësimin, dëmtimin ose heqjen e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimin e sigurisë në vendin e punës për periudhën 2019–2025 dhe muajt janar–shkurt të vitit 2026.
Tabela mbi rastet:

Nga të dhënat shihet se ekziston një trend i qartë në rritje nga viti 2019 deri në vitin 2024. Në vitin 2019 janë regjistruar 56 raste, ndërsa në vitin 2020 ky numër pothuajse dyfishohet në 99 raste. Rritja vazhdon edhe në vitet pasuese: 134 raste në vitin 2021, 177 në vitin 2022 dhe 234 në vitin 2023.
Kulmi arrihet në vitin 2024 me 296 raste, që paraqet nivelin më të lartë të shkeljeve gjatë kësaj periudhe. Ndërkohë, në vitin 2025 vërehet një rënie e lehtë në 276 raste, por shifrat mbeten ende të larta dhe shqetësuese.
Për vitin 2026, vetëm për periudhën janar–shkurt janë regjistruar 30 raste, çka tregon se fenomeni vazhdon të jetë i pranishëm edhe këtë vit dhe mund të ndjekë një trend të ngjashëm nëse nuk merren masa parandaluese.
Po ashtu, në Kosovë vazhdimisht raportohet për të lënduar në vendin e punës.
Kështu ndodhi edhe këtë të premte, ku dy punëtorë kanë pësuar lëndime pasi janë rrëzuar nga mjeti i punës. Policia e Kosovës ka njoftuar se rasti ka ndodhur në fshatin Ceraj të Leposaviqit dhe është cilësuar si “Rrezikim i sigurisë në vendin e punës”.
“Është raportuar se dy meshkuj kosovarë, punëtorë të një kompanie private, derisa ishin duke punuar, janë rrëzuar nga mjeti i punës dhe kanë pësuar lëndime të rënda trupore. Të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor në spitalin rajonal”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë.
Për rastin thuhet se është arrestuar një i dyshuar dhe, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.
Ministria e Punës dhe Inspektorati të enjten kanë zhvilluar aksion të inspektimeve nëpër vende pune të ndryshme me qëllim të kontrollit të nivelit të sigurisë dhe shëndetit në vendet e punës.
Një punëtor ka rënë nga një objekt në ndërtim në rrugën “Uran Tinova” në Ferizaj dhe është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Emergjente, e më pas në QKUK në Prishtinë.
Rasti është konfirmuar nga zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Kanun Veseli, i cili bëri të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:40 dhe i lënduari është një punëtor 46-vjeçar.
Sipas tij, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore dhe hetimore, ndërsa janë njoftuar edhe inspektori i punës dhe prokurori i shtetit. Hetimet për rastin janë duke vazhduar./ Gazeta Enigma.
