Deputeti i Guxo Fatos Geci ka kërkuar falje deputetes Vlora Çitakut, për deklaratën e tij e cila u kritikua ashpër në publik, shkruan Gazeta Enigma.
Megjithëse kërkoi falje për gjuhën e përdorur, ai tha se “ra preh e provokimeve dhe ofendimeve” që ju bënë.
“Dua të shpreh keqardhjen time të sinqertë për mënyrën se si jam shprehur ndaj një deputeteje në Kuvend të Republikës së Kosovës. Shprehjet e përdorura nuk pasqyrojnë nivelin e komunikimit që përfaqësoj e besoj! Shpreh keqardhje që nuk arrita ta ruaj maturinë dhe ula nivelin e komunikimit në të sajin, i ndikuar nga provokimet dhe ofendimet që m’u bënë”.
Ai shfrytëzoi rastin të shprehet edhe për UÇK-në.
“Gjithashtu, dua të jem shumë i qartë në qëndrimet e mia të palëkundura ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Unë kam respekt dhe mirënjohje të thellë për UÇK-në, kontributi i saj është i pakrahasueshëm dhe i përjetshëm. Me respekt dhe nderim i kujtoj të gjithë ata që kanë rënë, por mbeten të gjallë në kujtesën dhe zemrën time”
“Megjithatë, kjo nuk nënkupton që mund të mbështes individë të caktuar që, në rrethana të caktuara, kanë qenë të përfshirë në veprime që kanë prekur dhe rrezikuar drejtpërdrejt familjen time. Ata që kan vetëm pak njohuri per Komunikatën 59, i kuptojnë qëndrimet e mia. Nuk mund ta harroj frikën dhe pasigurinë për të dalë i qetë nga shtëpia dhe për t’u kthyer sërish i sigurt, duke i gjetur të gjallë prindërit dhe familjen time të madhe”.
Ai ditë më parë e quajti Çitakun “gru e keqe”, si dhe tha se “ke mbetë pa martu”.
