Duke e parë se partitë opozitare nuk do e bënin kuorumin për zgjedhjen e presidentit, çka bëri që vendi të shkojë sërish në zgjedhje të reja të parakohshme, Qeveria Kurti u sigurua të bënte diçka pak para mesnatës së 28 prillit – hapi konkurs për 20 pozita të larta nëpër ministri e agjenci, diçka që nuk do t’i lejohej të bënte posa të merrte statusin “në detyrë”, shkruan Gazeta Enigma.
Në Ligjin për Qeverinë, theksohet se “Qeveria në dorëheqje nuk mund të iniciojë procedura të reja për emërimin në pozitat publike”, për emërimin e të cilave është kompetente në bazë të ligjeve përkatëse.
Bazuar në këtë, ekzekutivi aktual hapi 20 pozita pak para shpërndarjes së Kuvendit, ndërkohë që procedurat për emërim mund të vazhdojnë edhe me një qeveri në detyrë.
20 pozitat e larta të cilat pritet që të emërohen nga Qeveria në detyrë janë:
1. Sekretar – Ministria e Mjedisit
2. Sekretar – Ministria e Shëndetësisë
3. Drejtor i Përgjithshëm – Akademia e Kosovës për Siguri Publike, MPB
4. Zëvendësdrejtor – Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave
5. Zëvendësdrejtor – Agjencia e Regjistrimit Civil
6. Zëvendësdrejtor – Agjencia e Arkivave
7. Drejtor Ekzekutiv – Agjencia e Arkivave
8. Drejtor Ekzekutiv – Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore
9. Drejtor Ekzekutiv – Agjencia e Zhvillimit të Rinisë
10. Drejtor Ekzekutiv – Agjencia Antidoping
11. Drejtor Ekzekutiv – KIESA
12. Drejtor Ekzekutiv – Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit
13. Drejtor Ekzekutiv – Agjencia për Siguri Kibernetike
14. Drejtor Ekzekutiv – Agjencia për Pronësi Industriale
15. Kryeinspektor – Ministria e Tregtisë
16. Drejtor Ekzekutiv – Agjencia Kosovare për Standardizim
17. Drejtor i Thesarit – Ministria e Financave
18. Drejtor Ekzekutiv -AQP
19. Drejtor Ekzekutiv – Agjencia e Kosovës për Pajisje Medicinale
20. Sekretar – Ministria e Tregtisë dhe Industrisë
“Përpjekja e fundit për kapjen e institucioneve”
Lidhur me këto konkurse reagoi ish deputetja dhe anëtarja e LDK-së, Hykmete Bajrami.
Bajrami vlerësoi se këto konkurse janë “përpjekja e fundit për kapjen e institucioneve, para se të mbahen zgjedhjet”.
“Po, konkurset janë hapur disa orë para shpërndarjes së Kuvendit, por pikërisht këtu qëndron problemi: a mund të quhet proces kredibil një konkurs që shpallet në prag të shpërndarjes së Kuvendit dhe i tëri zhvillohet nga një Qeveri në dorëheqje? A janë këto konkurse për profesionistë, apo për t’i rehatuar njerëzit e pushtetit para zgjedhjeve?”, pyeti Bajrami.
Ish ministrja tha se institucionet publike “nuk janë pronë e asnjë partie politike, nuk janë strehë për militantë, as tortë që ndahet në minutat e fundit të pushtetit”.
“Qeveria e re që vjen pas zgjedhjeve duhet t’i ndalë menjëherë këto praktika, ta ristartoj këtë proces dhe këto pozita t’i plotësojë me njerëz profesionistë, të pavarur dhe me integritet”, deklaroi në fund Bajrami.
“LVV dëshiron që në këto pozita të emërojë njerëz të afërt me ta”
Njohësi i çështjeve politike, Valdet Hoxha, thotë për Gazetën Enigma se shpallja e konkursit për 20 pozita të larta udhëheqëse, pak para shpërndarjes së Kuvendit, tregon se Lëvizja Vetëvendosje dëshiron që në këto pozita të emërojë njerëz të afërt me partinë.
“Fakti që ky proces i rëndësishëm do të menaxhohet nga Qeveria në detyrë, krijon një perceptim të arsyeshëm se Lëvizja Vetëvendosje dëshiron që në këto pozita të emërojë njerëz tëafërt me ta”, deklaroi Hoxha.
“Këtë perceptim e forcon fakti se në kohën e shpalljes së këtyre pozitave, pothuajse ishte e sigurt shpërndarja e Kuvendit dhe shkuarja në zgjedhje të parakohshme”, tha tutje Hoxha për Enigmën.
Ai thotë se kjo praktikë e “konkurseve zgjedhore” duhet të marrë fund, sepse është në kundërshtim me synimin legjitim të rekrutimit të profesionistëve, sipas meritës dhe përgatitjes profesionale.
“Njëkohësisht e dëmton imazhin e agjencive te pavarura, duke krijuar opinionin se këto mekanizma shtetërore nuk janë imune ndaj ndërhyrjeve politike”, tha në fund Hoxha.
“Mund të shihen si vendime me interes në përfitime elektorale”
Profesori universitar, Mazllum Baraliu, thotë se përderisa Qeveria ka pasur mandat, ka të drejtë të shpallë konkurs dhe të marrë vendim që e konsideron që është i ligjshëm dhe në frymën e kompetencave që ka institucioni, në bazë të ligjit për Qeveri.
Megjithatë, Baraliu thotë se një konkurs i tillë do të duhej të shpallej më herët dhe jo momentet e fundit, pasi mund të shihet si diçka në interes të përfitimit elektoral.
“Sigurisht se kjo do të duhej të shpallej më herët. Nuk duhet t’i lënë në moment të fundit vendimet e tilla, çfarëdo qofshin ato. Për arsye se në opinion publikë dhe në partitë opozitare, mund të shihen si vendime të cilat marrin konotacione elektorale ose me interes në përfitime elektorale. Por, legjitimitet i vendimmarrjes nuk mund të kontestohet”, tha Baraliu për Gazetën Enigma.
Sa do të jetë Kosova me Qeveri në detyrë?
Pas shpërndarjes së Kuvendit, e cila u bë më 29 prill, Qeveria Kurti konsiderohet si Qeveri në detyrë.
Kjo do të vijojë edhe për disa javë apo edhe muaj.
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, sot caktoi që data e zgjedhjeve të parakohshme të jetë më 7 qershor.
Duke llogaritur numërimin, certifikimin e marrëveshjet e mundshme për koalicion, Kosova mund të mbetet me Qeveri në detyrë deri në korrik apo gusht të këtij viti. /GAZETA ENIGMA
