Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, u ka bërë thirrje qytetarëve që jetojnë jashtë vendit të regjistrohen për të marrë pjesë në procesin zgjedhor, raporton Gazeta Enigma.
Duke e vlerësuar kontributin e diasporës ndër vite, Haxhiu theksoi se ata e kanë mbajtur Kosovën afër përmes punës, sakrificës dhe përkushtimit.
“Sot po ju drejtohem juve që për dekada e keni mbajtur Kosovën afër, në punë, në shtëpi, në gjuhë në kujtesë dhe në dinjitet. Afati i regjistrimit për të votuar jashtë vendit nis sot dhe vazhdon deri më 17 maj. Regjistrohuni për të votuar, ju keni qenë pranë Kosovës edhe kur kufijtë, dhuna dhe largësia janë munduar t’ju mbajnë larg. Keni punuar dhe keni sakrifikuar për ta ndihmuar atdheun tonë. Keni qenë zëri i Kosovës kudo në botë, vazhdoni kontributin për Republikën e Kosovës dhe bëhuni pjesë e vendimmarrjes”, tha Haxhiu përmes një videoje të publikuar në Facebook.
“Regjistrohuni me kohë. Ndihmoni njëri-tjetrin, flisni me familjarët e miqtë dhe të rinjtë që kanë lindur jashtë por që Kosovën e kanë në zemër dhe në mendje”, shtoi ajo. / Gazeta Enigma.
