Zëdhënësi i Lidhja Demokratike e Kosovës, Besian Mustafa, ka bërë të ditur se ndër kandidatët e propozuar për deputet nga dega e LDK-së në Podujevë është edhe Agim Veliu.
Rikthimi i Veliut në listën e propozuar vjen pasi kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, kishte deklaruar ditë më parë se synon t’i bashkojë në parti të gjithë ata që i përkasin krahut të djathtë politik.
Agim Veliu nuk ishte përfshirë në listën e kandidatëve për deputetë të LDK-së në dy proceset zgjedhore të mbajtura gjatë vitit 2025.
Ai më herët ka ushtruar disa funksione të rëndësishme politike, përfshirë postin e kryetarit të Podujevës, deputetit në Kuvendin e Kosovës dhe ministrit të Punëve të Brendshme.
Pas rezultatit të dobët që LDK-ja kishte marrë në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Veliu kishte kërkuar dorëheqjen e Abdixhikut nga posti i kryetarit të partisë, si dhe organizimin e zgjedhjeve të brendshme në LDK.
Propozimi i tij për deputet shihet si sinjal i afrimit dhe konsolidimit brenda partisë para zgjedhjeve të ardhshme.
