Një 15-vjeçar, i cili akuzohet se ka sulmuar dy studentë me çekan në oborrin e shkollës për motive raciste, ka komentuar akuzat para Gjykatës Rajonale të Augsburgut.
“I pandehuri është deklaruar për akuzën përmes avokatit të tij mbrojtës”, ka thënë një zëdhënës i gjykatës, duke u thirrur në deklarimet e seancës së sotme ndaj të pandehurit, raporton media gjermane N-TV, duke iu referuar raportimit të agjencisë së lajmeve dpa.
Veç kësaj, edhe dy palët e dëmtuara janë intervistuar si dëshmitarë, megjithatë zëdhënësi nuk ka mundur të japë detaje për përmbajtjen e dëshmive për shkak të moshës së të akuzuarit.
I dyshuari, i cili në kohën e kryerjes së krimit në tetor të vitit të kaluar, akuzohet edhe për tentim-vrasje dhe lëndim të rëndë trupor.
Për shkak të moshës së tij, të gjitha seancat po mbahen prapa dyerve të mbyllura. Vendimi pritet të merret në qershor, ndërsa deri atëherë vlen prezumimi i pafajësisë për të akuzuarin.
“I dyshuari deshi të vriste myslimanë”, thuhet në aktakuzë.
Sipas aktakuzës, 15-vjeçari ka hyrë në ambientet e shkollës së mesme në Friedberg afër Augsburgut më 2 tetor 2025, me qëllim për të vrarë persona të besimit islam dhe me prejardhje të huaj. Ai thuhet se kishte veshur një kostum në stil të uniformës dhe një helmetë që i ngjante asaj ushtarake, si dhe kishte me vete dy pistoleta ajrore për të cilat nuk kërkohet leje.
Në oborrin e shkollës, ai dyshohet se ka goditur me çekan në kokë ose trup një student me prejardhje nga Kosova dhe një tjetër nga Iraku. 15-vjeçari, i cili ishte nxënës i shkollës, është arrestuar menjëherë pas sulmit dhe ndodhet në paraburgim që nga ajo kohë. Viktimat kanë pësuar lëndime të lehta deri mesatare dhe aktualisht paraqiten në gjyq si bashkëpaditës.
Meqenëse hetimet kanë zbuluar shenja të një motivi ekstremist, Zyra e Prokurorit Publik të Munihut ka marrë përsipër procedurat menjëherë pas krimit. Autoriteti hetimor është Zyra Qendrore Bavareze për Luftimin e Ekstremizmit dhe Terrorizmit.
Fillimisht janë planifikuar 11 ditë gjyq deri më 23 qershor, por procedurat mund të përfundojnë më herët. Sipas gjykatës, janë planifikuar 55 dëshmitarë dhe dy ekspertë.
