Të martën në mesnatë ka përfunduar afati për deklarimin e listave të partive për kandidatët për deputet, shkruan Gazeta Enigma.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), sott ka njoftuar se ka pranuar listat me 917 kandidatë për deputetë nga 23 subjekte politike për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit, ndërsa katër parti politike që kishin njoftuar pjesëmarrjen nuk kanë dorëzuar listat e kandidatëve.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi tha se më 12 maj është përmbyllur afati për dorëzimin online të listave të kandidatëve për deputetë nga subjektet politike që synojnë certifikimin për pjesëmarrje në zgjedhje.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se më 12 maj 2026 është përmbyllur afati për subjektet politike për të dorëzuar online listën me emrat e kandidatëve për deputetë për certifikim të pjesëmarrjes në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës”, tha ai.
Elezi bëri të ditur se gjatë periudhës 2-12 maj, KQZ-ja ka pranuar listat nga 23 subjekte politike.
“Gjatë periudhës 11-ditore (2 maj – 12 maj 2026) KQZ ka pranuar listat e kandidatëve për deputetë nga: 23 subjekte politike, prej të cilave 18 parti politike, 3 koalicione, 1 nismë qytetare dhe 1 kandidat i pavarur. 4 parti politike, të cilat më herët kanë njoftuar pjesëmarrjen në zgjedhje, nuk kanë dorëzuar listën me emrat e kandidatëve për deputetë”, tha ai.
Sipas tij, numri total i kandidatëve të propozuar është 917, prej tyre 603 burra dhe 314 gra, ndërsa procesi i certifikimit pritet të përfundojë deri më 15 maj.
“Numri i përgjithshëm i kandidatëve që përfaqësojnë këto 23 subjekte politike, është 917, prej të cilëve 603 burra dhe 314 gra. Sipas planit të miratuar më herët nga KQZ, procesi i certifikimit të kandidatëve për deputetë, pritet të përmbyllet deri më 15 maj, por paraprakisht, do të shqyrtohet nëse kandidatët përmbushin detyrimet”, tha ai.
Në kuadër të përmbushjes së obligimeve ligjore që kanë të bëjnë me përshtatshmërinë/aftësinë e kandidatëve për certifikim, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, do t’u dërgojë institucioneve relevante kërkesat për verifikim, së bashku me listën e kandidatëve që synojnë të certifikohen për pjesëmarrje në zgjedhje, me qëllim të vlerësimit nëse ata janë në përputhje me nenin 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. Kjo është një praktikë e ndjekur nga KQZ edhe në proceset e kaluara zgjedhore.
