Rokadat e reja për zgjedhjet e 7 qershorit: Cila listë e deputetëve premton më shumë?

Rokadat e reja për zgjedhjet e 7 qershorit: Cila listë e deputetëve premton më shumë?


Zgjedhjet e jashtëzakonshme të 7 qershorit kanë sjellë risi në listat e partive politike për deputetë, shkruan Gazeta Enigma.

Nga LVV, PDK, LDK, AAK – ka kandidatura të reja për deputetë, duke pasur parasysh që kësaj here edhe PSD i është futur garës me 6 deputetë, LDK këtë radhë është bashkuar me ish-presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin dhe ka disa aderime nga Lista Guxo në LDK, teksa nga LVV ka disa figura të reja por edhe prej atyre që janë tërhequr, ndërsa nga PDK, lista e tyre përmban rreth 60% risi të emrave sa i përket kandidatëve për deputetë. Për dallim, AAK kësaj here udhëhiqet nga Ardian Gjini, i cili tani është edhe kryetar i partisë, teksa jashtë listës mbeti Daut Haradinaj.

Më 12 maj është përmbyllur afati për dorëzimin në KQZ të listës së kandidatëve për deputetë nga partitë politike, teksa zëdhënësi i KQZ-së ka njoftuar se 4 parti, të cilat më herët kanë aprovuar pjesëmarrjen, nuk i kanë dorëzuar listat.

“Gjatë periudhës 11-ditore (2 maj – 12 maj 2026) KQZ ka pranuar listat e kandidatëve për deputetë nga: 23 subjekte politike, prej të cilave 18 parti politike, 3 koalicione, 1 nismë qytetare dhe 1 kandidat i pavarur. 4 parti politike, të cilat më herët kanë njoftuar pjesëmarrjen në zgjedhje, nuk kanë dorëzuar listën me emrat e kandidatëve për deputetë”, tha ai.

Publikimet e listave kanë ngjallur debat politik, teksa partitë janë akuzuar se në lista po garojnë kandidatë që janë të akuzuar e të dënuar.

Aktakuza e konfirmuar ndaj ish-ministres së Albin Kurtit, Rozeta Hajdarit dhe dënimi ndaj ish-deputetit të VV-së, Egzon Azemi, nuk e ka ndalur shefin e kësaj partie që t’i përfshijë në listën për zgjedhjet e 7 qershorit.

Ish-ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë akuzohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës për skandalin me rezervat shtetërore.

Aktakuza ndaj saj është konfirmuar në mars të këtij viti nga Gjykata Themelore në Prishtinë, e cila i kishte refuzuar si “të pabazuara” kërkesat e avokatëve të të pandehurve lidhur me kundërshtimin e provave dhe hedhjen poshtë të aktakuzës.

Në anën tjetër, Azemi është shpallur fajtor në prill dhe bashkë me të edhe zëdhënësi i Qeverisë, Arlind Manxhuka, të cilët u dënuan për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit, me nga një vit e gjysmë burgim.

Vitin e kaluar, Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte liruar nga akuza Manxhukën, ndërsa Azemin, Qerim Elshanin dhe Edi Zenelajn i kishte dënuar me nga 6 muaj burgim. Por, po atë vit, në tetor, Apeli e ktheu rastin në rigjykim.

Cila nga partitë e ka listën më premtuese në këto zgjedhje?

Njohësi i çështjeve politike, Arton Muhaxheri, theksoi se listat e partive opozitare “duken më të mira”.

Tutje, Muhaxheri theksoi se vetmja lëvizje e dukshme është kthimi i Osmanit në LDK me disa nga deputetët që më herët kanë garuar nga radhët e LVV-së.

“Kosova po kalon shpesh në cikle zgjedhore dhe natyrisht listat për deputetë nuk mund të pësojnë ndryshime radikale brenda një kohe kaq të shkurtër. Për këtë arsye shumica e partive kanë hyrë në zgjedhje me lista pothuajse të njëjta me ato të zgjedhjeve paraprake, me vetëm disa ndryshime të vogla. Përjashtimi më i dukshëm është rasti i LDK-së, ku kemi një rokadë të kandidatëve, pasi disa prej tyre në zgjedhjet e dhjetorit ishin me VV-në, ndërsa tani janë pjesë e listës së LDK-së. Përndryshe, listat në përgjithësi mbesin të ngjashme me ato të kaluarat. Vazhdoj të mendoj që listat e partive opozitare duken më të mira dhe më përfaqësuese sesa lista e Lëvizjes Vetëvendosje”, u shpreh Muhaxheri për Enigmën.

Kurse, ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ilir Deda, ka kritikuar partitë kryesore në vend: LVV, PDK dhe LDK – se po i rikandidojnë personat të cilët kanë qenë të përfshirë në “vjedhje të votave”.

Deda tha se fajet i ka populli i Kosovës, të cilët “duan t’ia nxjerrin sytë njëri-tjetrit” për politikë.

“LVV, PDK e LDK i rikandidojnë njerëzit që kanë manipuluar me vota në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Aman mos flisni për shtet ligjor e drejtësi kur të kundërtën po e bëni ju vetë. Po ju s’keni faj, po ky milet që ju përcjellë e do me ia nxjerrë sytë njëri-tjetrit për juve”, u shpreh Deda.

Kurse, gjashtë subjekte politike serbe do të përpiqen më 7 qershor që, me një listë të përbashkët të quajtur “Bashkë fitojmë”, të hyjnë në Kuvendin e Kosovës, ku komuniteti serb i ka dhjetë ulëse të rezervuara. /Gazeta Enigma/

LISTAT:

Related Articles