Minatorë të ngujuar në Trepçë pas ndërprerjes së rrymës, akuzohet Qeveria për mungesë investimesh

Minatorë të ngujuar në Trepçë pas ndërprerjes së rrymës, akuzohet Qeveria për mungesë investimesh


Mëngjesin e kësaj të enjte një incident ka ndodhur në minierën e Trepçës në Stan Tërg, ku si pasojë e ndërprerjes së energjisë elektrike, një numër minatorësh kanë mbetur të ngujuar nën tokë për disa orë, shkruan Gazeta “Enigma”.

Fillimisht rastin për “Enigmën” e ka konfirmuar kryetari i Sindikatës, Ibrahim Jonuzi, ku sipas tij prej 40 minatorëve, një pjesë prej tyre kanë arritur të dalin në këmbë.

“Mbi 40 minatorë kanë qenë të bllokuar, një pjesë prej tyre kanë arritur të dalin në këmbë, derisa sipas informacioneve diku rreth 18 vazhdojnë të jenë ende brenda, ata të cilët kanë qenë më të dobët me shëndet”, deklaroi Jonuzi.

Tutje ai ka theksuar se gjendja e përgjithshme e minatorëve është e mirë.

“Gjendja e përgjithshme e tyre është e mirë. Kemi komunikim me ta, por sa më tepër kohë që kalojnë brenda situata rëndohet. Kanë nevojë për furnizime, ushqim, ujë, sepse janë në rezerva të fundit”, deklaroi Jonuzi për Enigmën.

Shala i KMDLNJ akuzon Qeverinë për neglizhencë dhe mungesë investimesh në Trepçë

Në lidhje me këtë çështje Gazeta “Enigma” ka kontaktuar edhe me drejtorin e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behxhet Shala, i cili theksoi se “ punëtorët që kanë mbetur aty në mënyrë të drejtpërdrejt po rrezikohen me të drejtën për jetë”, e cila është njëra ndër të drejtat elementare të njeriut.

Tutje ai ka theksuar se investimet që i ka premtuar Qeveria nuk janë realizuar deri më tani, bile nuk janë krijuar as kushtet elementare.

“Ka tri-katër vite që situata në Trepçë vetëm po përkeqësohet. Nuk ka investime nga Qeveria e cila ka premtuar investime, por deri më tani nuk ka ndryshuar një gjë e tillë. Përveç kësaj dhe mungesa e kushteve teknike po rrezikon drejtpërdrejt jetën e minatorëve”, deklaroi Shala.

Ai tha se problemet me furnizimin e qëndrueshëm me energji elektrike, mungesa e ajrimit dhe kushtet e dobëta teknike janë bërë shqetësim serioz për punëtorët e minierës.

“Pikërisht për këtë arsye sot një numër i minatorëve kanë mbetur të ngujuar aty shkaku i problemeve me rrymë, ku një numër i tyre ka arritur që të dalë jashtë ndërsa një pjesë e tyre kanë mbetur ende aty dhe në mënyrë të drejtpërdrejt po rrezikohen me të drejtën për jetë e cila është njëra ndër të drejtat elementare të njeriut”, theksoi ai.

Shala krahasoi gjendjen në Trepçë me kompanitë e privatizuara, të cilat sipas tij kanë furnizim të garantuar me energji elektrike 24 orë në ditë, ndërsa një ndërmarrje me rëndësi jetike për Kosovën po përballet me probleme bazike.

Ai kërkoi nga institucionet që urgjentisht të sigurojnë kushtet elementare për punë në minierë, përfshirë energjinë elektrike, ajrimin dhe sigurinë teknike, në mënyrë që të shmangen pasoja të mundshme fatale në të ardhmen.

Trepça përmes një njoftimi ka bërë me dije 18 punëtorë ende janë të bllokuar

Sipas Trepçës ndërprerja e energjisë ka ndodhur më 14 maj 2026 rreth orës 01:30, “si pasojë e një defekti në linjën 35 kV në Stan Tërg”.

Nga dëmtimi i linjës janë djegur izolatorët dhe është dëmtuar trafostacioni që furnizon flotacionin me energji elektrike.

“Në momentin e incidentit, në minierë ndodheshin 47 punëtorë të ndërrimit të tretë. Deri në orët e para të mëngjesit, 29 prej tyre kishin dalë nga miniera, ndërsa 18 të tjerë mbeteshin ende brenda, në pritje të evakuimit të sigurt”, thuhet në njoftimin e tyre.

Trepça Sh.A. ka bërë të ditur se të gjithë punëtorët janë në gjendje të sigurt dhe se ekipet teknike dhe skuadrat e shpëtimit janë mobilizuar për sanimin e defektit dhe rikthimin e energjisë elektrike. / Gazeta Enigma.

Related Articles