Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në konferencën e përbashkët me Komisioneren e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos tha se Kosova ka përparim të vazhdueshëm dhe të qëndrueshëm drejt rrugës evropiane, shkruan Gazeta Enigma.
Pas takimit me komisioneren e BE-së për Zgjerim Marta Kos, Kurti ka theksuar se gjetja e unitetit brenda BE-së për të marrë vendime karshi Kosovës është detyrë e përbashkët. Ai ka shtuar se mungesa e funksionimit të Kuvendit ka shkaktuar vonesa në reforma, e se tash “po rrezikohen edhe për afatin e qershorit”.
“Janë bërë mbi 40 muaj që kur kemi aplikuar dhe momenti i ripërtërirë, i zgjerimit nga ana e Bashkimit Evropian, duhet të rezultojë me avancimin e merituar të Kosovës. Mbështetja publike për Bashkimin Evropian për anëtarësim në BE qëndron vazhdimisht rreth 90 për qind në vendin tonë dhe është ndër më të lartat nga të gjitha vendet kandidate. Jemi të vetëdijshëm për sfidat që ekzistojnë, por kërkohet unitet në angazhim”, ka thënë ai në konferencë për media.
Kurti ka deklaruar se Kosova ka bërë progres në shtylla themelore dhe se kjo meriton njohje nga Bashkimi Evropian në kontekst të zgjerimit.
“Nuk po kërkojmë as rrugë të shkurtra, as derë të pasme, vetëm proces meritor”, shtoi Kurti.
“Gjetja e unitetit brenda Bashkimit Evropian për të marrë vendime karshi Kosovës është detyrë e përbashkët. Sigurisht që ne po punojmë me shtetet anëtarë, por kërkohet që edhe institucionet e Bashkimit Evropian të shtyjnë këtë unitet përpara. Zgjerimi është mjeti më i suksesshëm i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian. Vakumi që len Bashkimi Evropian po synohet që të mbushet nga aktor të tjerë dashakëqij të cilët i minojnë vlerat e Bashkimit Evropian dhe rrezikojnë sigurinë tonë të përbashkët. Prandaj është përgjegjësia e gjithë neve që Kosova të avancojë në procesin e integrimit”. / Gazeta Enigma.
