Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë publikuar një video informuese në rrjetin social X, ku shpjegojnë kornizën ligjore që lejon vizita të të paraburgosurve në Kosovë për arsye të veçanta humanitare.
Në video, zëdhënësja e Gjykatës, Angela Griep, thekson se këto vizita lejohen vetëm në raste të arsyetuara dhe vendosen nga gjyqtarët mbi bazën e të drejtës ndërkombëtare dhe rregullave për trajtimin e të burgosurve.
Sipas saj, deri më tani janë miratuar disa vizita të tilla, përfshirë raste kur të paraburgosurit kanë kërkuar të takojnë familjarë të sëmurë ose të marrin pjesë në ngjarje familjare pas humbjeve të afërmve.
Griep përmendi edhe rastin e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, duke thënë se atij i janë lejuar katër vizita të këtij lloji në Kosovë, të menaxhuara nga vetë gjykata.
Ajo shtoi se deri tani janë urdhëruar gjithsej 14 vizita humanitare për të paraburgosurit, gjithmonë nën mbikëqyrje dhe kushte të përcaktuara nga gjykata.
Sipas Dhomave të Specializuara, këto vendime bazohen në standarde ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, përfshirë Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe rregullat minimale të Kombeve të Bashkuara për trajtimin e të burgosurve.
