Evropa nuk është e përgatitur për valët e reja të të nxehtit ekstrem, ka paralajmëruar Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), duke bërë thirrje për masa urgjente pasi temperaturat pritet të rriten sërish gjatë kësaj jave.
Sipas drejtorit rajonal të OBSH-së për Evropën, Hans Kluge, më pak se gjysma e vendeve evropiane kanë plane kombëtare për përballimin e rreziqeve shëndetësore që shkaktohen nga temperaturat ekstreme.
Paralajmërimi vjen në kohën kur një valë e re e të nxehtit po afrohet nga Atlantiku. Portugalia dhe jugu i Spanjës pritet të regjistrojnë deri në 43 gradë Celsius, ndërsa Franca dhe vendet e Beneluksit po përgatiten për temperatura të larta. Edhe pjesë të Azisë Qendrore po përballen me temperatura deri në 40 gradë Celsius.
Kluge theksoi se çdo shtet duhet të ketë një plan të qartë veprimi, i cili përfshin paralajmërime të hershme meteorologjike, mbrojtjen e grupeve më të rrezikuara dhe koordinimin ndërmjet institucioneve shëndetësore, sociale dhe autoriteteve lokale.
Sipas tij, vendet që kanë plane funksionale e dinë paraprakisht se kush është përgjegjës për secilin veprim dhe kur duhet të aktivizohen masat, gjë që mund të bëjë dallimin mes shpëtimit të jetëve dhe reagimit të vonuar.
OBSH thekson se, sipas të dhënave paraprake, temperaturat e larta gjatë muajit qershor shkaktuan mbi 4 mijë vdekje shtesë në Evropën Perëndimore, duke vënë nën presion sistemet shëndetësore, raporton Euronews.
Për të shmangur përsëritjen e një skenari të tillë, OBSH ka zhvilluar një takim urgjent me përfaqësues të 41 vendeve evropiane, Komisionit Evropian dhe organizatave të shoqërisë civile për të analizuar mësimet e nxjerra nga vala e fundit e të nxehtit dhe për të përmirësuar gatishmërinë për të ardhmen.
