Tragjedi në Itali –  U fut në lumë për të shpëtuar djalin e tij, vdes 38-vjeçari pasi u mor nga rrjedha e lumit

Tragjedi në Itali –  U fut në lumë për të shpëtuar djalin e tij, vdes 38-vjeçari pasi u mor nga rrjedha e lumit

Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Itali, ku një 38-vjeçar humbi jetën pasi u hodh në lumin Tagliamento për të shpëtuar djalin e tij të vogël që ishte marrë nga rryma e ujit.

Ngjarja ndodhi pranë Ronchis di Latisana, në provincën e Udines, nën viaduktin e autostradës A4. Alarmi u dha nga kalimtarë të rastit, të cilët njoftuan shërbimet e emergjencës pasi panë persona në vështirësi në lumë.

Sipas autoriteteve italiane, viktima ishte një murator 38-vjeçar, me origjinë nga Baku i Azerbajxhanit, i cili jetonte në Pontebba, në provincën e Udines.

Raportohet se ai u hodh në ujë pasi djali i tij 5-vjeçar e gjysmë u mor nga rryma. Bashkë me të ndodheshin edhe dy vajzat e familjes, 9 dhe 11 vjeçe. Babai arriti ta nxirrte djalin në breg, ndërsa dy vajzat dhe nëna e tyre u ndihmuan nga persona që ndodheshin pranë vendit të ngjarjes.

Menjëherë pas shpëtimit të të birit, 38-vjeçari u zhduk në ujërat e lumit.

Në vendngjarje ndërhynë zjarrfikësit, një helikopter dhe zhytësit, të cilët nisën menjëherë kërkimet. Pas disa orësh, trupi i pajetë i burrit u gjet në bregun tjetër të lumit Tagliamento.

Ndërkohë, djali 5-vjeçar, i cili kishte pësuar sindromë të rëndë mbytjeje, u transportua me helikopter në spitalin e Udines. Mjekët konfirmuan se ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Related Articles