Kryetari i Obiliqit, Halil Thaçi është deklaruar pas intervistimit nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.
Ai është është intervistuar lidhur me hartat e shpronësimeve në fshatin Shipitullë për Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).
Thaçi ka thënë se është intervistuar në cilësinë e dëshmitarit lidhur me këtë çështje. Ai ka pretenduar se kjo çështje është përgatitur nga rivalët e tij politikë.
“Jo, kjo është një temë e përgatitur prej moti nga rivalët e mi politikë. Më kanë përfshirë në çështjen e shpronësimeve në fshatin Shipitullë. Unë jam shumë i kënaqur që Prokuroria ka filluar të merret me këtë çështje dhe i bëj thirrje Prokurorisë që ta hetojë deri në fund. Po ashtu, i kam bërë thirrje edhe nga Kuvendi që të hetohet çdo keqpërdorim i mundshëm në ato pjesë”, ka thënë Thaçi.
Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, ka folur për raportimet në media, duke thënë se nuk do të shantazhohet.
“Unë nuk shantazhohem, hiq për asgjë. Natyrisht që më pyetën për çdo gjë, çkado që unë di, do të përgjigjem”, ka thënë Thaçi, pasi ka dalë nga objekti i Prokurorisë Speciale, ku është intervistuar të mërkurën.
Ndërkohë, Prokuroria Speciale ende nuk ka dhënë detaje lidhur me intervistimin e Thaçit.
