Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka reaguar pas lajmit për ndarjen nga jeta të Flora Brovinës, duke kujtuar kontributin e saj ndër vite për Kosovën.
Hamza ka thënë se me vdekjen e Brovinës, vendi ka humbur një grua të fortë, mjeke, intelektuale dhe veprimtare, e cila, sipas tij, gjithë jetën e saj ia kushtoi qytetarëve dhe atdheut.
“Flora nuk u përkul kurrë para vështirësive. Ajo qëndroi me dinjitet, guxim dhe përkushtim deri në fund të jetës”, ka shkruar Hamza.
Ai ka vlerësuar se emri i Brovinës do të mbetet i lidhur me qëndresën dhe përkushtimin ndaj Kosovës.
“Fjalët janë të pakta për humbjen e saj. Prehu në paqe, Florë!”, ka shkruar ai.
Hamza, në emër të tij dhe të Partisë Demokratike të Kosovës, u ka shprehur ngushëllime familjes, miqve dhe të gjithë atyre që e kanë njohur Brovinën.
“Respekt dhe mirënjohje të përjetshme për Flora Brovinën!”, ka deklaruar Hamza.
Flora Brovina ndërroi jetë në moshën 76-vjeçare.
