Sot do t’i jepet lamtumira e fundit 20-vjeçarit Orlent Xhafiqi, i cili humbi jetën në aksidentin e rëndë të trafikut që ndodhi në orët e para të mëngjesit të djeshëm në fshatin Lutogllav të Prizrenit.
Varrimi i të ndjerit do të bëhet me drekë, në varrezat e fshatit Piranë, kanë njoftuar familjarët.
Xhafiqi humbi jetën pasi vetura “VW Passat”, me të cilën po udhëtonte në drejtimin Suharekë–Prizren, doli nga rruga në afërsi të shkollës fillore “Besim Ndrecaj”.
I riu 20-vjeçar ishte i njohur në komunitet edhe për angazhimin e tij në punë vullnetare dhe kontributin në të mirë të komunitetit, ndërsa ndër aktivitetet e tij ishte edhe rregullimi i dyerve në shkolla.
Në këtë aksident u lëndua edhe drejtuesi i automjetit, 19-vjeçari Yll Latifi, i cili u trajtua në Spitalin e Prizrenit. Me urdhër të prokurorit, ai është ndaluar në mbajtje.
Familjarët kanë shprehur dhimbjen për ndarjen e parakohshme të Orlentit, duke kërkuar që i ndjeri të kujtohet për kontributin dhe të mirat që ka bërë për komunitetin.
“Allahu e mëshiroftë dhe e shpërbleftë me Xhenet.”
