Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka kërkuar vazhdimin e dialogut ndërmjet partive politike në Kosovë, duke theksuar se stabiliteti institucional është i rëndësishëm për zhvillimin e vendit dhe avancimin e tij drejt Bashkimit Evropian.
Duke folur pas takimit me kryeministrin Albin Kurti në Prishtinë, Von der Leyen tha se formimi i Kuvendit dhe Qeverisë përbën një hap të rëndësishëm, ndërsa theksoi se tani duhet të zgjidhet presidenti i vendit.
“Kuvendi dhe Qeveria janë themeluar, kjo është mirë. Hapi i ardhshëm është zgjedhja e presidentit/es dhe së fundmi po vërejmë se dialogu mes partive politike është i mundur. Ju duhet të vazhdoni në këtë drejtim, sepse stabiliteti institucional është themeli i gjithçkaje”, tha Von der Leyen.
Presidentja e Komisionit Evropian përsëriti mbështetjen për perspektivën evropiane të Kosovës, duke deklaruar se beson në të ardhmen e vendit brenda Bashkimit Evropian.
“Unë besoj në të ardhmen evropiane të Kosovës dhe atë qartazi, sepse e di se sa thellësisht ndjehen evropianë populli i Kosovës”, deklaroi Von der Leyen.
