1.78 milionë euro për zjarrfikësit, tri komuna pajisen me automjete të reja

1.78 milionë euro për zjarrfikësit, tri komuna pajisen me automjete të reja

Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME), në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ka dorëzuar tri automjete të reja zjarrfikëse për Njësitë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit në Lipjan, Shtime dhe Drenas.

Ceremonia e dorëzimit u zhvillua në objektin e AME-së në Hajvali, ku u prezantuan automjetet dhe investimi në forcimin e kapaciteteve për reagim ndaj emergjencave në nivel lokal.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit ekzekutiv të AME-së, Shefki Abdullahu, tha se investimi synon rritjen e sigurisë së qytetarëve dhe mbrojtjen e zjarrfikësve.

Lipjani ka përfituar një automjet sulmues me kapacitet prej 4 mijë litrave ujë dhe 400 litrave koncentrat shkume, në vlerë prej 673 mijë e 148 euro.

Ndërkaq, Shtimja dhe Drenasi kanë përfituar nga një automjet furnizues, me kapacitet prej 6 mijë litrave ujë dhe 600 litrave koncentrat shkume. Secili prej tyre ka vlerë prej 553 mijë e 449 euro.

Në total, vlera e tri automjeteve arrin në 1 milion e 780 mijë e 46 euro.

Në ceremoninë e dorëzimit mori pjesë edhe zëvendësministri i parë i MPB-së, Enver Dugolli, i cili tha se reagimi ndaj emergjencave duhet të jetë prioritet institucional dhe se investimet në këtë fushë do të vazhdojnë.

Automjetet tashmë u janë dorëzuar njësive përkatëse në Lipjan, Shtime dhe Drenas, me synim përmirësimin e reagimit ndaj zjarreve dhe emergjencave të tjera.

Related Articles