Kryesuesja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka kundërshtuar kërkesën e PDK-së që shqyrtimi i radhës i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar të zhvillohet sot në orën 17:30.
Reagimi i Haxhiut erdhi pas fjalës së deputetit të PDK-së, Arian Tahiri, i cili paraqiti një mocion procedural për shmangien nga afatet e përcaktuara në Rregulloren e Kuvendit.
Tahiri propozoi që amendamentet në projektligj t’i adresohen Komisionit Funksional për Legjislacion deri në orën 14:30.
“Komisioni deri në ora 15:30 duhet ta shqyrtojë projektligjin në fjalë dhe raportin t’ua paraqesë komisioneve të përhershme, të cilat deri në ora 16:30 ta shqyrtojnë projektligjin dhe raportet me rekomandimet t’ia paraqesin Komisionit Funksional për Legjislacion, e ky deri në ora 17:00 t’ia paraqesë Kuvendit raportin për Dhomat e Specializuara për shqyrtim të dytë në seancën plenare”, ka thënë Tahiri.
Ai ka kërkuar që shqyrtimi i dytë i projektligjit të bëhet sot në orën 17:30.
Pas kësaj, Haxhiu ka kërkuar nga partitë që të takohen dhe të arrijnë një dakordim për çështjen e zgjedhjes së presidentit.
“Pas takimit ndërmjet kryetarëve mund të vijmë në dakordim për çështjen në fjalë. Nuk e kuptoj si ka mundësi që, pa kaluar pak orë, vini dhe ndryshoni qëndrimin. Është shumë e rëndësishme që të jemi bashkë dhe t’i japim vendit president. Prandaj ju ftoj që të takoheni, të merreni vesh dhe të vini në seancë”, tha Haxhiu.
Ajo kundërshtoi mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje për shkak të çështjes së presidentit.
“Ne nuk mund ta çojmë vendin në zgjedhje për shkak të presidentit”, tha Haxhiu.
