Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama është deklaruar serish rreth nismës “Ballkani i Hapur”.
Ai përmes një postimi në Twitter thotë se qeveria gjermane e mbështet nismën “Ballkani i Hapur” dhe kërkon nënshkrimin urgjent të marrëveshjeve për Tregun e Përbashkët Rajonal para Samitit BE-Ballkan më 6 tetor.
“ÇUDI”! Qeveria gjermane e mbështetka Open Balkan ndryshe nga çfarë u thuhet njerëzve në Prishtinë e Tiranë prej atyre që s’pyesin për Amerikën dhe jo vetëm kaq, po kërkon nënshkrimin urgjent të marrëveshjeve për Tregun e Përbashkët Rajonal para Samitit BE-Ballkan në 6 tetor!Open Balkan thotë qeveria gjermane duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe po, patjetër, kështu duhet të jetë e ndaj dera është e hapur, por as nuk përfshijmë dot kënd me zor, as nuk rrimë dot të presim sa t’u mbushet mendja atyre që s’duan të kuptojnë se kjo është rruga e të ardhmes!”, shkruan Rama.
Ndryshe, Kosova e kundërshton në ҫdo formë “Mini-Shengenin Ballkanik”, nismë kjo që iu ndërrua emri në “Ballkani i Hapur”, nga tre udhëheqës në Ballkan, Aleksandar Vuçiq, Edi Rama dhe Zoran Zaev.Tre udhëheqësit e tri vendeve, Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, nënshkruan në Shkup më 29 korrik marrëveshjen me të cilën synojnë të heqin kontrollet në kufijtë e tyre për mallrat dhe qarkullimin e njerëzve, duke filluar nga 1 janari 2023.
Kryeministri Albin Kurti nuk mori pjesë në takim, ndërsa zyra e tij marrëveshjen e cilësoi si një ide të Novi Sadit, apo e ashtuquajtur mini-Shengen.
Ideja e mini-Shengenit ballkanik, u prezantua në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, duke mos ia përmendur emrin, i dërgoi një mesazh kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për kundërshtimin që ai po i bën “Mini- Shengenit”.
“Kush thotë që kjo është një nismë e projektuar në bodrumet e ish-Jugosllavisë, jeton në një botë tjetër. E para, jeton në një botë paralele. E dyta, jeton për politikë në lëkurën e njerëzve dhe jo për rritjen e mirëqenies dhe për forcimin e urave mes njerëzve dhe e treta, harron se po të nisemi kështu, atëherë duhet të themi se edhe Bashkimi Evropian është një Jugosllavi e madhe. Nëse BE është Jugosllavi e madhe, kjo është Jugosllavi e vogël”, pati deklaruar Edi Rama nga Shkupi.Ndërsa, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuҫiq tha, se “Edi Rama po bën punë të mirë, ndërsa, kryeministri Kosovar po gabon”.
Sidoqoftë, pas kundërshtimit që i bëri marrëveshjes në Shkup, Qeveria e Kosovës u bën thirrje qeverive të rajonit që të mbeten të përkushtuara ndaj agjendës së Bashkimit Evropian dhe marrëdhënieve transatlantike.