Dy pushkë, një pistoletë, 68 fishekë e 4 gëzhoja u sekuestruan në vendin ku ndodhi vrasja në Pogragjë të Gjilanit

Dy pushkë, një pistoletë, 68 fishekë e 4 gëzhoja u sekuestruan në vendin ku ndodhi vrasja në Pogragjë të Gjilanit

I dyshuari për vrasjen e 29-vjeçarit në Pogragjë të Gjilanit, që ndodhi të dielën në mbrëmje, ende gjendet në arrati. 

Ndërkohë që Policia ka njoftuar se në vendin e ngjarjes janë sekuestruar tri armë. 

Sipas raportit 24 orësh të Policisë, në vendin e ngjarjes u sekuestruan një pushkë gjuetie, një pushkë zjarri M48, një pistoletë, 68 fishekë e katër gëzhoja.

Sipas Policisë, rasti u iniciua si “Vrasje e rëndë”, ndërkaq Policia është në kërkim të të dyshuarit.

“Gjilan / 11.10.2026 – 19:32. Raportohet se i dyshuari mashkull Kosovar, dyshohet me armë zjarri ka qëlluar viktimën mashkull Kosovar. Në vendin e ngjarjes  janë sekuestruar një pushkë gjuetie, një pushkë zjarri M48, një pistoletë (pa kafkë), 68 fisheke dhe 4 gëzhoja. I dyshuari gjendet në kerkim policor. Me vendim të prokurorit, trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në njoftim.

Kujtojmë se edhe një tjetër vrasje ndodhi të premtën në Gjilan, ku një person dyshohet se vrau gruan, vëllain e saj dhe plagosi djalin e mixhës së gruas. I dyshuari ndodhet nën masën e paraburgimit.

Related Articles