Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu ka kërkuar nga Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, përfshirjen e Kuvendit të Kosovës në programin e auditimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit.
Në kërkesën e drejtuar Spancës, Haxhiu ka kërkuar që auditimi i Kuvendit të Kosovës të përfshijë fushën e prokurimit, mirëmbajtjes dhe teknologjisë së informacionit.
“Duke e çmuar lartë rolin e Zyrës Kombëtare të Auditimit në mbikëqyrjen e shpenzimit të parasë publike dhe në frymën e transparencës dhe llogaridhënies që Kuvendi kërkon nga institucionet e tjera, ju drejtohem me kërkesën që në programin tuaj të auditimit të përfshihet edhe vetë Kuvendi përfshirë, ndër të tjera fushat e prokurimit, mirëmbajtjes dhe teknologjisë së informacionit”- thuhet në kërkesë, raporton Kallxo.com.
Kryetarja Haxhiu ka thënë se respektojnë plotësisht pavarësinë e ZKA-së dhe vendimin e saj mbi programin, fushëveprimin dhe afatet e auditimit.
“Kjo kërkesë shpreh gatishmërinë tonë për t’u nënshtruar kontrollit të jashtëm dhe angazhimin për bashkëpunim të plotë, përfshirë qasje në dokumente dhe informata të nevojshme”- thuhet në kërkësen e Haxhiut.
Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës është institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik e financiar në vend.
Ky institucion i raporton Kuvendit të Repubikës së Kosovës dhe ka të drejtë të kontrollojë të gjitha aktivitetet, programet dhe projektet financiare, administrative dhe të tjera të menaxhuara nga institucionet publike, përfshirë procesin dhe të ardhurat nga shitja e aseteve, privatizimeve dhe koncesioneve.
ZKA në fakt ka kryer auditime në Kuvendin e Kosovës edhe në të kaluarën.
Kuvendi ka edhe auditorët e brendshëm.
