Protestat e dhunshme që përfshinë Francën gjatë fundjavës, po ashtu edhe Shqipërinë, janë përhapur në Itali, ku përleshjet midis protestuesve dhe policisë shpërthyen në Milano për natën e dytë radhazi.
Protestuesit thyen vitrinat e dyqaneve, plaçkitën dyqane dhe shkatërruan prona, ndërsa policia ndërhyri me gaz lotsjellës dhe topa uji.
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ka thirrur një takim urgjent sigurie.
Trazirat në Milano filluan të shtunën, gjatë një proteste kundër kostos së lartë të jetesës, dhe vazhduan të dielën.
Protestues të maskuar hodhën objekte drejt automjeteve të policisë, përmbysën shporta mbeturinash dhe dëmtuan biçikleta e skuterë. Një supermarket pranë katedrales së famshme të Milanos u plaçkit. Incidente të ngjashme u raportuan në Bolonjë dhe Torino, raporton gazeta britanike Daily Mail.
Kryebashkiaku i Milanos, Giuseppe Sala, tha se pa dritare të thyera, dyqane të plaçkitura dhe qytetarë të tmerruar.
“Jam shumë i shqetësuar sepse ky është një fenomen i ri që buron edhe nga rrethanat ndërkombëtare”, tha Sala.
Kryeministrja Meloni dënoi dhunën dhe i quajti protestuesit banditë që po shfrytëzojnë protestat për të përhapur kaos dhe për të sulmuar policinë.
“Protesta është një e drejtë. Shkatërrimi i qyteteve tona nuk është”, tha ajo në rrjetin social X. Zëvendëskryeministri italian Matteo Salvini i përshkroi ngjarjet si “luftë urbane”.
Gati 2,400 të arrestuar në Francë
Pothuajse 2,400 persona u arrestuan në Francë gjatë fundjavës, ndërsa pothuajse 1,000 policë dhe oficerë të xhandarmërisë u lënduan në përleshje, shtatë prej të cilëve rëndë.
Pamjet e publikuara nga britanikja Daily Mail tregojnë dhjetëra të rinj të maskuar që hyjnë me forcë në dyqanet luksoze dhe vjedhin produkte të shtrenjta. Në shënjestër ishin dyqanet Louis Vuitton, Christian Dior dhe Rolex.
Grabitje u raportuan gjithashtu në dyqanet e telefonave celularë në Paris dhe në objektet e lidhura me klubin e futbollit Lille.
Një nga videot tregon një grua që përpiqet të ndalojë një grup të rinjsh të maskuar që po grabisin një supermarket.
“Pse po e bëni këtë? Ndaloni! Ky s’është qëllimi i protestës!”, bërtiti ajo derisa protestuesit e shtynë dhe hynë në dyqan.
Protestat filluan një muaj më parë për shkak të mungesës së mësuesve dhe stafit të shkollave, por janë shndërruar në një lëvizje më të gjerë kundër rritjes së kostove të jetesës. Rreth gjysmë milioni njerëz dolën në rrugë gjatë fundjavës.
Flet edhe Trump
Presidenti amerikan Donald Trump reagoi gjithashtu ndaj dhunës në Francë dhe fajësoi emigracionin për trazirat.
“Franca po digjet! Imigracioni i njerëzve nga një botë krejtësisht tjetër, njerëz që mbajnë urrejtje në zemrat e tyre, e ka shkatërruar këtë vend dikur të madh”, shkroi ai në Truth Social.
“Mbyllni kufijtë tuaj dhe merrni kontrollin para se të jetë tepër vonë!”, shtoi ai.
Protesta u zhvilluan edhe në Portugali gjatë fundjavës, me qytetarët që u mblodhën në sheshin Rossio të Lisbonës për të protestuar kundër qirave të larta, mungesës së strehimit dhe pagave të ulëta. Protestuesit kërkuan paga dhe pensione më të larta, si dhe masa për të lehtësuar kostot e strehimit dhe karburantit.
