“Sot do të duhej të kishte dorëheqje e shkarkime”, Besnik Tahiri kërkon përgjegjësi institucionale pas vrasjes së Arlinda Zekajt

“Sot do të duhej të kishte dorëheqje e shkarkime”, Besnik Tahiri kërkon përgjegjësi institucionale pas vrasjes së Arlinda Zekajt

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka kërkuar dorëheqje dhe shkarkime në institucionet përgjegjëse pas vrasjes së Arlinda Zekajt, duke e cilësuar një veprim të tillë si përgjegjësi etike për një ngjarje që ka tronditur vendin.

Nga foltorja e Kuvendit, Tahiri ka thënë se vrasja e Arlindës nuk duhet të trajtohet si rast i izoluar, por si pjesë e një fenomeni shqetësues që kërkon reflektim dhe llogaridhënie institucionale.

“Pa asnjë dyshim, vrasja e Arlindës është një tragjedi që na ka tronditur të gjithëve, por nuk është rast i veçuar. Fatkeqësisht, është duke u bërë një fenomen i cili në Kosovë na obligon të reflektojmë dhe, mbi të gjitha, të kërkojmë përgjegjësi”, ka deklaruar Tahiri.

Ai ka theksuar se ngushëllimet dhe dënimi publik i rastit nuk mjaftojnë, duke kërkuar veprime konkrete nga institucionet përgjegjëse.

“Sot do të duhej të kishte dorëheqje, shkarkim, si veprim etik ndaj një ngjarjeje e cila u shkaktoi dhimbje të gjithë qytetarëve të Kosovës”, ka thënë deputeti.

Tahiri ka vënë në pah se dhuna ndaj grave nuk duhet të trajtohet vetëm si një rast i izoluar apo vetëm nga këndvështrimi i femicidit, por edhe përmes përgjegjësisë që kanë institucionet për parandalimin e rasteve të tilla dhe mbrojtjen e viktimave.

Related Articles