Tronditje në Prokurorinë e Pejës pas vrasjes së Arlinda Zekajt – suspendohet kryeprokurorja Lumturije Vuçetaj

Tronditje në Prokurorinë e Pejës pas vrasjes së Arlinda Zekajt – suspendohet kryeprokurorja Lumturije Vuçetaj

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka marrë vendim për suspendimin e kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, pas zhvillimeve që pasuan vrasjen tragjike të Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës.

Vendimi është marrë të enjten, më 29 tetor 2026, gjatë mbledhjes së jashtëzakonshme të KPK-së, e cila ishte thirrur nga Kryeprokurori i Shtetit, Zejnullah Gashi.

Përveç suspendimit, KPK-ja ka vendosur edhe themelimin e një paneli hetimor, në kuadër të procedurave për trajtimin e përgjegjësisë së mundshme disiplinore të kryeprokurores, raporton Sinjali.

Vendimi vjen vetëm katër ditë pas vrasjes së Arlinda Zekajt, e cila më 25 tetor u vra në mënyrë mizore në fshatin Vitomiricë të Pejës.

Për vrasjen e saj dyshohet kunati, Albert Sylaj, i cili u arrestua pas dy ditësh kërkimi nga Policia.

Rasti ka shkaktuar reagime të fuqishme publike, veçanërisht pas publikimit të dokumenteve që dëshmojnë se viktima kishte kërkuar ndihmë dhe masa urgjente mbrojtëse nga institucionet përpara se të vritej.

Gazeta Sinjali kishte raportuar për kërkesën e Arlindës drejtuar Prokurorisë Themelore në Pejë më 22 tetor, vetëm tri ditë përpara vrasjes së saj.

Pas tragjedisë, janë ngritur pyetje serioze lidhur me veprimet e institucioneve përgjegjëse dhe nëse autoritetet kishin ndërmarrë masat e nevojshme për mbrojtjen e viktimës.

Suspendimi i kryeprokurores Vuçetaj përbën një nga zhvillimet më të rëndësishme institucionale pas vrasjes, ndërsa mbetet të shihet se çfarë do të konstatojë paneli hetimor lidhur me përgjegjësinë e saj të mundshme disiplinore.

Suspendimi është masë e përkohshme dhe nuk përbën konstatim përfundimtar të përgjegjësisë disiplinore.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Related Articles