“Ma keni vënë jetën në rrezik” – Ish-kryeprokurorja e Pejës fajëson KPK-në pas suspendimit, thotë se po paraqitet si dorasja e Arlindës

“Ma keni vënë jetën në rrezik” – Ish-kryeprokurorja e Pejës fajëson KPK-në pas suspendimit, thotë se po paraqitet si dorasja e Arlindës

Ish-kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vucetaj, ka reaguar ndaj vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës për suspendimin e saj, duke ngritur shqetësime serioze për sigurinë personale dhe të familjes.

Burime të afërta me Vucetajn kanë bërë të ditur për Gazetën Sinjali se ajo i është drejtuar me shkrim KPK-së, duke e konsideruar vendimin për suspendim si një veprim që, sipas saj, ka kontribuar në rritjen e rrezikut për jetën e saj.

Shqetësimi i saj lidhet veçanërisht me ekspozimin e vazhdueshëm publik pas vrasjes së Arlinda Zekajt, si dhe me gjuhën fyese dhe komentet e rënda që, sipas saj, po qarkullojnë në hapësirën publike.

Sipas të njëjtave burime, Vucetaj ka paralajmëruar se kjo situatë jo vetëm që ia ka cenuar dinjitetin, por ka krijuar pasiguri të vazhdueshme për të dhe familjen e saj.

Ajo ka shprehur shqetësimin se në opinionin publik është krijuar përshtypja sikur është vetë dorasja e Arlinda Zekajt, duke e konsideruar këtë një zhvillim me pasoja serioze për sigurinë e saj.

Reagimi vjen pasi Këshilli Prokurorial i Kosovës, në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur të enjten, më 29 tetor, ka vendosur me shtatë vota për suspendimin e Vucetajt dhe të koordinatorit për dhunë në familje në Prokurorinë Themelore në Pejë.

KPK ka vendosur gjithashtu nisjen e hetimeve disiplinore për të shqyrtuar përgjegjësinë eventuale lidhur me veprimet dhe mosveprimet në procedurat e mëhershme, në të cilat Arlinda Zekaj kishte qenë viktimë.

Vendimet janë marrë pas rekomandimeve të Kryeprokurorit të Shtetit, të mbështetura në raportin e hartuar nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, ku janë evidentuar veprime dhe mosveprime institucionale.

Suspendimi dhe nisja e hetimeve disiplinore nuk përbëjnë konstatim përfundimtar të përgjegjësisë individuale, ndërsa shqetësimet e ngritura nga Vucetaj për rrezikimin e jetës së saj janë pretendime që ajo ia ka adresuar KPK-së.

Rasti i vrasjes së Arlinda Zekajt ka nxitur reagime të shumta publike dhe kërkesa për zbardhjen e plotë të përgjegjësive eventuale institucionale.

Related Articles