Mungesa e uniformave dhe pajisjeve të tjera është shqetësuese për Policinë e Kosovës.
Shumë zyrtarë policorë ndër vite detyrohen që të vishen me uniforma të vjetruara, të shqyera e me këpucë në gjendje të mjerueshme.
Kjo gjendje e rëndë për zyrtarët policorë të Kosovës përpos që është dëshpëruese është edhe e rëndë për mënyrën se si po trajtohen ata dhe se në çfarë gjendje po lihet Policia e Kosovës si institucion i sigurisë.
Lajmi.net ndër vite ka raportuar për gjendjen e rëndë të zyrtarë policorë sidomos sa i përket uniformave dhe pajisjeve e mungesës së tyre.
Disa pamje të publikuara së fundi tregojnë edhe më qartë se në fakt këta të fundit mezi ia dalin të paraqiten në punë në gjendjen të cilat i kanë uniformat.
Që nga viti 2021 zyrtarët policorë nuk u pajisen me uniforma të reja, e të njëjtit këtyre kadetëve që shtoheshin shpesh herë ua ofronin uniformat e tyre ashtu siç iu kërkua edhe së fundi për ceremoninë e gjeneratës së 63-të.
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla i ka ikur edhe këtë herë përgjegjësisë se si po lihen zyrtarët policorë në vazhdimësi duke mos dashur të deklarohet, teksa nga policia e Kosovës nuk janë përgjigjur fare në pyetjet e paraqitura në lidhje me mungesën e uniformave.
E në këtë gjendje përpos policëve patrullues janë edhe shumë zyrtarët policorë nga njësitë elitare.
Shumë prej këtyre njësive duhet që uniformat t’i sigurojnë vetë, me mjete financiare e që për ta dhe pagat të cilat kanë janë tejet të kushtueshme.
Gjendja e mjerueshme e Policisë së Kosovës shpërfaq hapur dështimin e shtetit për mirëqenien e tyre dhe ofrimin e kushteve meritore për ta, të cilët vazhdojnë të mos kenë as sigurim shëndetësorë e as furnizim të dinjitetshëm me uniforma dhe pajisje./Lajmi.net/




