Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shkëmb Manaj në një konferencë për media, i ka quajtur sulme deklaratat e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ndaj Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Manaj ka thënë se kjo qasje tregon se kjo Qeveri është e praktikantëve.
“Me shqetësim po i përcjellim sulmet e ministres së Drejtësisë ndaj Këshillit Prokurorial dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Këto janë sulme në pavarësinë e institucioneve të drejtësisë. Kjo sjellje tregon qartë që kjo është Qeveri e praktikanteve”, ka thënë Manaj.
Ai ka shtuar se ministrja e Drejtësisë nuk e ka të qartë se cilat janë kompetencat e saj.
“Imazhi më i keq i mundshëm ishte që ministrja e Drejtësisë u bëri institucioneve të pavarura. Miratimi i strategjisë për sundimin e ligjit është hap i rëndësishëm, por mendojmë që ky dokument duhet të dërgohet në Kuvendin e Kosovës. Është gabim i Qeverisë që këtë dokument ta aprovojë vetëm në Qeveri”, u shpreh deputeti i LDK-së, derisa sipas tij Qeveria nuk po di si ta bëjë vettingun.
“Edhe sot kjo Qeveri ende nuk e ka idenë se si do t’i qaset procesit të Vettingut. Tash kur e kanë shumicën nuk mund të akuzojnë askënd por të përmirësojnë gjendjen në sistemin e drejtësisë”, tha Manaj.
Ai ka thënë se LDK-ja vlerëson se KPK dhe KGJK e kanë për obligim që të sigurojnë që t’i kryejnë punët e tyre në pajtim me ligjin.