Drejtori Ekzekutiv i Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë (IKKL), Atdhe Hetemi, realizoi vizitë zyrtare në Tiranë, me qëllim të thellimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe identifikimit të burimeve të reja me rëndësi për dokumentimin e krimeve të luftës në Kosovë.
Sipas njoftimit për media, në Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH), Hetemi u takua me përfaqësuesit e këtij institucioni, me të cilët diskutoi për mundësinë e formalizimit të bashkëpunimit përmes një marrëveshjeje ndërinstitucionale.
Bëhet e ditur se vëmendje e veçantë iu kushtua kërkesës së IKKL-së për sigurimin e materialeve arkivore që ruhen në Autoritet dhe që dokumentojnë represionin sistematik, përndjekjet, dhunën dhe krimet ndaj shqiptarëve në Kosovë gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX.
“Këto materiale kanë rëndësi të veçantë për hulumtimin e rrethanave historike, politike dhe shoqërore që çuan deri te lufta e fundit në Kosovë”, thuhet në njoftim.
Në kuadër të vizitës, Hetemi zhvilloi takim edhe me Drejtorin e Përgjithshëm të Arkivave të Shqipërisë, Auron Rrokaj.
Gjatë takimit u diskutua për thellimin e bashkëpunimit ekzistues dhe sigurimin e dokumentacionit të ri arkivor që ndërlidhet me luftën në Kosovë dhe periudhën që i parapriu asaj.
“Drejtori Ekzekutiv zhvilloi gjithashtu takim me zëvendësministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, z. Kevin Bufi, i cili vlerësoi punën e deritanishme të IKKL-së dhe shprehu gatishmërinë për të mbështetur Institutin, veçanërisht në promovimin ndërkombëtar të fakteve dhe dëshmive mbi krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë”, u tha në njoftim.
Përmes këtyre takimeve, IKKL synon të zgjerojë fondin arkivor, të thellojë bashkëpunimin me institucionet e rajonit dhe të krijojë mundësi të reja për hulumtimin e krimeve të luftës në Kosovë dhe të rrethanave që i paraprinë asaj.
