Vetëvendosje ka mbetur pa kandidat për kryetar të Skenderajt, kjo pasi që Hysen Mehani, të cilin e emëroi dega e këtij subjekti atje, u tërhoq nga gara sot dhe konfirmoi mbështetjen për kryetarin aktual të Skenderajt, njëherit deri dje ish-kundërkandidatin e tij, Bekim Jashari.
Me këtë rast, Sami Lushtaku paralajmëroi se do t`i mposht të dy.
“Ne jemi në garë. Frikë nuk kam as nuk kam pasë kurrë. PDK-ja është e fortë në Drenicë. Besojmë fuqishëm që i kemi 70 % të votave. Po presim fitore”, ka thënë Lushtaku.
Skenderaji ka qenë bastion i PDK-së që prej se në Kosovën e pasluftës janë organizuar zgjedhjet. Ramadan Gashi e udhëhoqi për gati 8 vjet, e më vonë, pas pavarësisë, Sami Lushtaku. Në zgjedhjet e kaluara lokale, ato të 2017-s, subjekti nuk garoi fare në këtë komunë, pasi e mbështeti Bekim Jasharin.
Meqë tash për zgjedhjet lokale të këtij viti, që do të mbahen më 17 tetor, i kanë ndarë rrugët, gara në Skenderaj mes Jasharit dhe Lushtakut pritet të jetë njëra nga më të nxehta politike.