Gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë janë regjistruar 2 mijë e 110 raste të reja me COVID-19 në Kosovë, ndërkaq nga shtetet e rajonit, Kosova është e dyta nga vendet e rajonit për nga rastet e konfirmuara në 1 milionë banorë.
Kjo, sipas të dhënave të publikuara në faqen e Universitetit të Oxfordit.
Në vendin e parë renditet Mali i Zi, ndërkaq, në të tretin është Maqedonia e Veriut, në të katërtin është Serbia ndërkaq në të pestin Shqipëria.
Ndryshe, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës janë miratuar masat e reja për të parandaluar përhapjen e COVID-19 në Kosovë, sipas propozim vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka bërë të ditur se nga data 20 gusht do të mbyllen klubet e natës dhe do të ndalohen ahengjet familjare, si dasma e fejesa.
Ai u shpreh se nga momenti i publikimit të vendimit, do të shkurtohet edhe orari i gastronomisë.
“Nga data 20 gusht do të mbyllen klubet e natës, do të ndalohen ahengjet si fejesat, dasmat etj. Nga momenti i publikimit të këtij vendimi në faqen zyrtare do të shkurtohet orari i gastronomisë”, tha Vitia në konferencë për medie.
Vitia theksoi se masat për ruajtjen e shëndetit publik janë kritike për të parandaluar përhapjen më të gjerë të virusit dhe të vdekjeve nga sëmundja.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka ftuar qytetarët që të vaksinohen kundër COVID-19, duke shtuar se asnjë i infektuar me variantin Delta që është vaksinuar nuk ka vdekur deri më tani.
Kurti gjatë mbledhjes së sotme të Qeverisë së Kosovës, shtoi se marrja e masave të reja është e domosdoshme që të ruhet shëndeti publik.
Tutje, Kurti shtoi se edhe pse ka raste që të vaksinuarit po infektohen me COVID-19, ata po e kalojnë shumë më lehtë virusin.