Osmani bisedoi me përfaqësues të tri organizatave të OKB-së për strehimin e qytetarëve afganë

Osmani bisedoi me përfaqësues të tri organizatave të OKB-së për strehimin e qytetarëve afganë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim një delegacion të përbërë nga Ulrika Richardson, Koordinatore e Kombeve të Bashkuara për zhvillim, Erol Arduc nga UNHCR-ja dhe Anna Rostocka nga IOM me të cilët është diskutuar për përgatitjet e Kosovës për sistemimin e qytetarëve nga Afganistani në kuadër të Programit të Posaçëm të Vizave për Migrim të SHBA-ve.

Sipas njoftimit nga Presidenca, përfaqësuesit e të tri organizatave kanë falënderuar Presidenten Osmani për gatishmërinë e shtetit të Kosovës për strehimin e qytetarëve nga Afganistani dhe në të njëjtën kohë kanë ofruar mbështetje ndaj institucioneve të Kosovës për t`u dalë në ndihmë të strehuarve.

Presidentja Osmani nga ana tjetër ka përsëritur se Kosova është e hapur për qytetarët nga Afganistani.

“Ne jemi të hapur për t’i mirëpritur qytetarët nga Afganistani, sepse askush më mirë se ne nuk e njeh dhimbjen e tyre. Për më tepër këtë po e bëjmë bashkë me aleatin tonë strategjik- SHBA-në ”, ka theksuar Osmani.

Shumë Afganë, nga e diela kanë kërkuar ndihmë nga shumë shtete të Evropës për t`i strehuar ata , pasi që Afganistani tani është nën udhëheqjen e Talibanëve.

Related Articles