A i ka parë dikush Kurtin e Osmanin? Serbia ndërton Universitet në veri – asnjë fjalë nga asnjëri

A i ka parë dikush Kurtin e Osmanin? Serbia ndërton Universitet në veri – asnjë fjalë nga asnjëri

Serbia ka filluar ndërtimin e objektit të përhershëm për të ashtuquajturin “Universiteti i Prishtinës me seli të përkohshme në Mitrovicë.”. Ky investim i cili kap shifrat e mbi 6 milionë eurove do të bëhet direkt nga qeveria e Serbisë përmes të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën”, ndërsa institucionet e Kosovës nuk kanë bërë asnjë zë.


Petar Petkovic, i cili është edhe drejtor i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën” në qeverinë e Serbisë ishte ai që hodhi gurthemelin për ndërtimin e këtij Universiteti në Mitrovicë që nuk dihet nëse është bërë me ose pa dijen e institucioneve të Kosovës, pasi ato nuk janë deklaruar fare.

“Ky është gurthemel i harmonisë unitetit të popullit tonë në Kosovë, dhe për këtë sot ne jemi të bashkuar siç ishim dhe do të jemi: edhe Lista Serbe ashtu edhe Universiteti ynë dhe shteti i Serbisë. Populli ynë ka të ardhme vetëm përmes këtij uniteti, siç e ka thënë edhe presidenti Vuçiq”, tha Petkovic.

Lidhur me këtë çështje, totalisht i heshtur e gojë-kyçur ka qëndruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili ka qenë jashtëzakonisht i zëshëm, kritikues e akuzues ndaj qeverive të kaluara se nuk po bëjnë asgjë për ta shtrirë sovranitetin qytetet veriore të Kosovës të cilat janë të banuara me shumicë serbe.

Kurti, i cili shumicën e kohës i shfrytëzon rrjetet sociale si hapësirë komunikimi me publikun për t’iu ikur gazetarëve kësaj radhe po hesht edhe këtu. Ai postimin e fundit në rrjetin e tij social ‘Facebook’ e ka lidhur me masat e reja parandaluese ndaj virusit Korona, ndërsa në Twitter rreth 20 orë më parë ai e ka falënderuar Sekretarin Amerikan të Shtetit, Anthony Blinken për vaksinat e ndara për Kosovën, por ka heshtur për ndërtimin e Universitetit në veri të Kosovës me investim direkt nga qeveria e Serbisë.

As presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani nuk e ka lëshuar as edhe një fjalë të vetme lidhur me këtë çështje, ndonëse në të kaluarën, ajo ishte mjaft e ashpër me kundërshtarët politikë për çështjen e komunave veriore të Kosovës.

Osmani është përkujdesur që në rrjetet e saj sociale të shpërndajë intervistat për mediat e huaja, urimet për shtetet e ndryshme, por nuk ka thënë as edhe një fjalë të vetme lidhur me ndërtimin e këtij Universiteti në veri që nuk respekton Ministrinë e Arsimit, qeverinë e Kosovës e as shtetin e Kosovës në tërësi.

Reagime të ashpra ndaj kryeministrit Albin Kurti:

Ndonëse institucionet nuk reaguan. Kryeministri dhe Presidentja heshtën. Dikush ishte i brengosur për këto zhvillime në veri të Kosovës dhe reaguan e kërkuan llogari nga institucionet përgjegjëse për këtë situatë.

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati ka shtruar një pyetje publike për qeverinë e Kosovës, nëse këta të fundit e kanë dhënë aprovimin e tyre për ndërtimin e universitetit të financuar nga Serbia, si degë e Universitetit të Prishtinës në Mitrovicë por që nuk i përfill as Kosovën e as Ministrinë e Arsimit të Kosovës.

Murati nëpërmjet një postimi në Facebook ka thënë se duhet të dihet a po realizohet ky projekt me ose pa bekimin e qeverisë së Kosovës.

Lidhur me mos-reagimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, Murati ka thënë se: “Popullizmit të pafre opozitar, ia ka zënë vendin heshtja e pakuptueshme qeveritare.”

“Kjo situatë, si shumë të tjera në të kaluarën dhe si shumë të tjera që do të vijnë në të ardhmen, dëshmojnë se problemet reale të vendit nuk zgjidhen as me servilizëm por as me popullizëm e as me status quo, e cila është në dëm të Kosovës dhe shqiptarëve sa më shumë që kalon koha. Problemi i veriut është një problem i thellë politik që kërkon zgjidhje politike të guximshme dhe politikan vizionar e burrështetas që ia zgjidhin këtij vendit problemet e nuk ia lënë peng gjeneratave të ardhshme.”, tha Murti.

Reagim pati edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Shefi i deputetëve të këtij subjekti politik, ka reaguar lidhur me ndërtimin e këtij universiteti në veri të Kosovës.

Gashi ka thënë se Qeveria Kurti s’e ka thënë asnjë fjalë dhe s’ka marrë kurrfarë përgjegjësie për atë që ka ndodhur dje në Mitrovicë.

“Kryeministër ku je?” ka pyetur Gashi, duke ia rikujtuar se në Mitrovicë po investohen miliona nga Serbia.

“Asnjë fjalë dhe zero përgjegjësi nga Qeveria e Kosovës

“Na ishte seç na ishte një politikan”, i cili kishte fjalë shumë e një qëllim, votat. Tani asnjë fjalë, përgjegjësi assesi, e reagim kurrsesi.

Kryeministër, ku je? Gjersa po të ngritën struktura paralele, ti ku je? Serbia po investon mbi 6 milion euro, për ndërtimin e objektit prej 10.575 metra katrorë, të të ashtuquajturit “Universiteti i Prishtinës me seli të përkohshme në Mitrovicë”, ka shkruar Arben Gashi.

Edhe Partia Demokratike e Kosovës reagoi lidhur me këtë çështje duke thënë se PDK’ja ka ndërtuar në Mitrovicë Universitetin “Isa Boletini”, kurse Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje po lejojnë të ndërtohet një universitet paralel.

Këto deklarime i bëri anëtari i Kryesisë së PDK’së, Betim Gjoshi i cili ka thënë se Kurti po hesht lidhur me këtë situatë.

“Hashim Thaçi dhe PDK-ja në Mitrovicë ka ndërtuar Universitetin “Isa Boletini”, kurse Albin Kurti dhe Vetëvendosje po lejojnë Serbinë të vendosë gurthemelin e një universiteti paralel. Albin Kurti po hesht. Nuk po e thotë asnjë fjalë. Po hesht edhe për Ministrin e tij Goran Rakiqin që po hedhë betonin në gurthemel. Goran Rakiqi është propozuar për Ministër nga vetë e Albin Kurti. Edhe çka duhet të ndodhë në këtë vend që Kryeministri thotë dy fjalë? Mos ka ik prapë në Greqi a në Norvegji?”, tha Gjoshi.

Reagimet për ndërtimin e këtij universiteti ishin të shumta edhe nga Shoqëria Civile të cilët kanë kërkuar nga kryeministri Kurti që të mos e lejojë që një gjë e tillë të ndodh, por në mesin e këtyre ngjarjeve, Kurti ka diskutuar për “gjeo-informacione” dhe kufijë shtetërorë me Shpejtim Bulliqin e një profesor tjetër të gjeografisë, Florim Isufin.

Fotografia e këtij takimi, deri më tani mbetet e vetmja dëshmi e prezencës së kryeministrit Albin Kurti në Kosovë, së paku prezencë fizike – pasi i njëjti ende nuk e ka thënë asnjë fjalë për cenimin e drejtpërdrejtë të sovranitetit të Kosovës në komunat veriore.

Në anën tjetër, ndërtesa e “universitetit paralel” do të ketë 10.575 metra katrorë, me kapacitet për pranimin e deri në 10.000 studentëve ndërsa në kuadër të këtij Universiteti do të funksionojnë: Fakulteti i Shkencave të Natyrës dhe Matematikës, Fakulteti i Drejtësisë dhe Fakulteti Ekonomik.

Mitrovica e Veriut është komunë e banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës, ku autoritetet serbe kanë zhvendosur, siç e quajnë ata, Universitetin e Prishtinës, pas përfundimit të luftës në vitin 1999. Studimet aty zhvillohen sipas plan-programit të Republikës së Serbisë./GM/

Related Articles