Lista Serbe ka thënë se do ta shqyrtojë pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale në Kosovë më 17 tetor, pasi ka akuzuar Prishtinën se po shkel marrëveshjet Marrëveshjet e Brukselit.
Reagimi i tyre vjen pas vendimit Gjykatës së Apelit në Kosovë, e cila e ka konfirmuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, sipas të cilit deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Lista Serbe, Ivan Todosijeviq, ishte dënuar me dy vjet burgim në nën akuzat për nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik.
Lexo edhe:
Lista Serbe thotë se vendimin për pjesëmarrje, ose jo në zgjedhjet lokale do ta marrë pas konsultimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Duke pasur parasysh se Prishtina vazhdimisht shkel Marrëveshjen e Brukselit në dëm të serbëve në konsultim me presidentin, Aleksandar Vuçiq dhe udhëheqjen tonë, do të shqyrtojmë nëse do të marrim pjesë në zgjedhjet e ardhshme lokale”, thuhet në një komunikatë të kësaj partie.
Ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit kanë reaguar edhe kryetarët e komunave me shumicë serbe të veriut të Kosovës: Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit.
Sipas tyre, vendimi shkel në mënyrë flagrante Marrëveshjen e Brukselit në fushën e drejtësisë dhe rrezikon të drejtat themelore të serbëve.
Ata kanë thënë se do të shqyrtojnë gjithashtu pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale në Kosovë.
Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës në reagimet e tyre kanë thënë se vendimi është marrë nga një panel njëetnik i gjyqtarëve dhe sipas tyre Marrëveshja e Brukselit për drejtësinë mes Kosovës dhe Serbisë parasheh panel me përzierje etnike.