Kryeministri i vendit, Albin Kurti e ka nisur mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës, duke folur për vrasjen tragjike të 18-vjeçares nga Ferizaj, e cila tronditi vendin, raporton Gazeta “Enigma”.
Para ministrave, Kurti tha se ndaj 18-vjeçares është shpërfaqur dhunë në mënyrë ç’njerëzore.
“Në formën më të rëndë dhe më çnjerëzore është shfaqë dhuna mbi Marigonën, të cilës dje ia dhamë lamtumirën e fundit. U ndjemë të pafuqishëm përballë një vdekje të tillë. Nuk guxoj ti mendoj momentet e fundit të jetës së një vajze të brishtë, kjo gjë nuk duhet të ndodhë më, pas një veprimi të tillë, na shuhen shpresat e na bien fuqitë. Vrasësi nuk ka njohur asgjë nga Marigona veç moshës së saj, viktimën e njohëm nga dhuna që u ushtrua për të, e të dyshuarin për vrasje nga biografia e tij”, theksoi Kurti.
Kryeministri ka ngushëlluar familjet, duke thënë se përgjegjësia i takon tërë trupës shoqërore.
“Ne nuk duhet të lejojmë që kujtesa jonë të mbushet me emra grash, duhet edukuar shpirti dhe arsyeja, nuk mund të tolerohen. Drejtësia është cështje e shoqërisë në tërësi, respekti i tjetrës-tjetrës dhe njeriut. Sot ngushëllojmë familjarët e Marigonës, ndërkaq, përgjegjësia i takon tërë trupës shoqërore”, tha ai./Gazeta Enigma.