Mburojat që i mbrojnë prokurorët

Mburojat që i mbrojnë prokurorët



Shkroi: Arlinda Kqiku

Këshilli Prokurorial i Kosovës ende nuk u ka dhënë sqarime raportimeve për takimet në mes avokatit Besnik Berisha me prokurorin Agron Uka. Prokurori i cili po hetonte vrasjen e Agonis Tetajt ishte fotografuar tek qëndronte në një restorant me avokatin ndërsa disa javë më vonë në një proces të dyshimtë prokurori tërhoqi ndjekjen penale për veprën penale të vrasjes ndaj të dyshuarit për vrasje, Shaban Gogaj. 

Disa orë pas publikimit të fotografive, kryeprokurori i Gjilanit, Arben Kadriu, njoftoi se kërkoi inicimin e procedurës disiplinore ndaj prokurorit Agron Uka mirëpo të dhënat tregojnë që hetimi ende nuk ka përfunduar. Sqarimet nga Këshilli Prokurorial i Kosovës janë se hetimi është në vazhdim dhe vetëm kur vendimet të jenë të plotfuqishme, publiku do të njoftohet.

Procedurat disiplinore të paefektshme në sistemin e drejtësisë vlerësohen si ngecje që kanë shtyrë sistemin drejt idesë për një vetting të përgjithshëm. Që nga viti 2019, kur edhe hyri në fuqi ligji, asnjë prokuror apo gjyqtar nuk ka humbur vendin e punës si pasojë e procedurave disiplinore të përcaktuara me ligj.

Këshilli Prokurorial i Kosovës, në një përgjigje për KALLXO.com, ka bërë të ditur se që nga miratimi i Ligjit për Procedurën Disiplinore ndaj Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, ky organ ka pranuar vetëm 19 kërkesa për fillimin e procedurës disiplinore ndaj prokurorëve nga autoriteti kompetent (kryeprokurorët e prokurorive).

“KPK-ja, deri në fund të muajit mars, përmes paneleve hetimore ka zhvilluar procedura disiplinore dhe ka vendosur se në gjashtë vendime prokurori “nuk ka kryer shkelje”, në një rast është kërkuar transferim të përhershëm nga pozita e prokurorit të Departamentit të Krimeve të Rënda, në Departament të Përgjithshëm, si dhe janë dhënë 5 vërejtje me shkrim. Po ashtu në dy raste Këshilli ka vendosur për zvogëlime të përkohshme të pagës për 30% për një periudhë gjashtëmujore, si dhe në një rast është kërkuar zvogëlim i përkohshëm i pagës për 50% për një periudhë njëvjeçare (me vendim të Gjykatës Supreme është ndryshuar në: Zvogëlim i përkohshëm i pagës 50% për gjashtë muaj)”, ka thënë Bedri Gashi, zyrtar për komunikim me publikun në KPK.

126 ankesa ndaj gjyqtarëve, vetëm një pezullohet nga puna

Të njëjtat procedura ligjore sikurse ndaj prokurorëve, parashihen edhe për gjyqtarët, sipas Ligjit për Procedurën Disiplinore ndaj Gjyqtarëve dhe Prokurorëve. Në një përgjigje për KALLXO.com nga Zyra për informim e Këshillit Gjyqësor të Kosovës kanë bërë të ditur se ky organ që nga fillimi i janarit të vitit 2020, ka pranuar 135 ankesa disiplinore të ushtruara nga personat fizik dhe juridik ndaj gjyqtarëve. 

“Këto ankesa janë trajtuar nga autoritetet kompetente dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës. Nga këto 135 ankesa, Këshilli ka pranuar 126 vendime nga autoritetet kompetente me të cilat ankesat janë refuzuar si të pabazuara, prej tyre 4 vendime për refuzim kanë qenë në lidhje me ankesat e pranuara në fund të vitit 2019, si dhe 122 vendime për refuzimin e ankesave të vitit 2020”, thuhet në një përgjigje të KGjK-së. 

E njëjta sqaron se për 20 raste është inicuar procedura disiplinore  dhe janë  themeluar 18 Panele Hetimore.

“Nga tërë këto ankesa, janë dhënë vetëm 2 vërejtje jopublike me shkrim, një publike, në 13 raste KGJK ka vendosur se gjyqtarët nuk janë përgjegjës për veprën, si në një rast është vendosur për zvogëlim të përkohshëm të pagës prej 10% për periudhën kohore prej 4 muaj. Po ashtu KGJK në një vendim ka kërkuar zvogëlimin e përkohshëm të pagës prej 30%, për periudhën kohore prej 4 muajve, një vendim, si dhe në një rast tjetër ka kërkuar zvogëlimin e përkohshëm të pagës prej 30% për periudhën kohore prej 6 muaj, një vendim”, thuhet në përgjigjen e KGjK-së.

5 ankesa tek Avokati i Popullit për mosrespektim të ligjit, të gjitha hidhen poshtë

Avokati i Popullit gjatë periudhës 2019, 2020 dhe në tremujorin e parë të vitit 2021, ka pranuar gjithsej 25 ankesa nga qytetarët apo OJQ-të me pretendimet për elementet të shkeljeve disiplinore sipas dispozitave të Ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Mirëpo nga të gjitha rastet e proceduara nga Avokati i Popullit, sipas vlerësimit të autoriteteve kompetente në të gjitha këto raste nuk janë evidentuar shkelje disiplinore, sipas pretendimeve të ankuesve.

Nga zyra për informim e këtij institucioni kanë bërë të ditur se 19 ankesa janë regjistruar si të pranueshme nga Avokati i Popullit dhe janë hapur raste për hetim (8 raste bazuar në kërkesat e ankuesve për inicim të hetimeve disiplinore nga Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial, 11 raste bazuar në ankesat e ankuesve me pretendime për shkelje disiplinore nga një gjyqtar ose prokuror), si dhe 6 prej tyre janë shpallur të papranueshme, me pretekstin se nuk i kanë përmbushur kërkesat e provueshmërisë mbi bazën e dispozitave të Ligjit për Avokatin e Popullit.

“Nga 19 raste të hapura për hetim nga Avokati i Popullit, 4 raste nuk janë proceduar tek autoritetet kompetente pasi që nuk janë plotësuar kriteret ligjore, ndërsa 15 raste Avokati i Popullit i ka proceduar tek autoritet kompetente sipas kërkesës së ankuesve (7 kërkesa për hetim disiplinor: për KGJK – një dhe KPK – gjashtë, ndërsa tetë ankesa për kryetarët e gjykatave ose prokurorive, bazuar në ankesat me pretendime për shkelje disiplinore nga një gjyqtar ose prokuror)”, thuhet në përgjigjen e këtij institucioni.

Sfidat në zbatimin e Ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve 

Në bazë të një raporti të publikuar nga Instituti Kosovar për Drejtësi (IKD), të publikuar në nëntor të vitit 2020 është theksuar se zbatimi në praktikë i Ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve është sfiduar dhe se janë evidentuar raste kur llogaridhënia ndaj gjyqtarëve apo prokurorëve është zbatuar në mënyrë selektive.

Gzim Shala, hulumtues në IKD, për KALLXO.com, ka thënë se në shumicën e rasteve janë tejkaluar kompetencat nga autoritetet. 

“Në kuadër të sistemit prokurorial është e theksuar dukuria e tejkalimit të kompetencave të autoriteteve kompetente, ku një numër të konsiderueshëm të ankesave disiplinore, autoritetet kompetente i kanë hedhur në kundërshtim me këtë ligj, faktet e rasteve dhe veçanërisht kompetencave që të njëjtit kanë sipas këtij ligji. Për më tepër, IKD ka gjetur se në shumë raste, shtrirja e vlerësimit të autoriteteve kompetente ka qene e atij niveli që i lejohet vetëm KPK-së”, ka thënë ai.

Sipas tij, dukuria e tejkalimit të kompetencave nga autoritetet kompetente nuk është shumë e shprehur në sistemin gjyqësor, por përballë autoriteteve kompetente, IKD ka gjetur se rastin e sistemit gjyqësor, KGJK ka liruar nga përgjegjësia disiplinore shumë gjyqtarë. 

“Lirimi në këtë rast është bërë në kundërshtim me përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, dhe kryesisht me një arsyetim nën minimum të këtyre vendimeve. Po ashtu, deri më tani, edhe keqkuptimet që ka pasur Avokati i Popullit në drejtim të zbatimit të këtij ligji, kanë dëmtuar llogaridhënien sipas këtij ligji në sistemin gjyqësor dhe prokurorial”, është shprehur ai.

Sipas tij me këto veprime sistemi gjyqësor dhe prokurorial ka dështuar për të mbajtur përgjegjës prokurorët që kanë lëshuar komunikatat për arrestim para se të pandehurit të arrestohen, që kanë ngritur aktakuza të kundërligjshme, që kanë hedhur dyshime ndaj vendimeve gjyqësore dhe ndaj gjyqtarëve të cilët kanë dënuar dëshmitarët dhe kanë liruar të pandehurit, kanë arrestuar kundërligjshëm qytetarët etj.

Kurse, Anton Nrecaj, avokat nga “Qendra për Ndihmë Ligjore dhe Zhvillim Regjional”, për KALLXO.com, ka thënë se zbatimi i Ligjit për përgjegjësinë̈ disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, është tejet i mangët dhe se institucionet e drejtësisë nuk po e kryejnë detyrën e tyre.

“Kapitulli i III i Ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve parasheh pjesën ku qytetarët dhe kushdo që ka pretendime të shkeljes së kodit të etikës ku kemi të bëjmë me kërkesat dhe pretendimet e qytetarëve dhe të institucioneve tjera për llogaridhënie dhe transparencë nga gjyqësori është pothuajse temë tabu. Ditëve të fundit ka pasë kërkesa në adresë të gjykatës dhe prokurorisë dhe si pasojë kemi të bëjmë me një lojë të paprecedentë të shkeljes së ligjit në fjalë dhe ikjes nga përgjegjësia e llogaridhënia”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, duhet rishikuar ky ligj, paralel me fillimin e procesit të vettingut.

Related Articles