Kosova nesër luan ndeshjen ndaj Greqisë, të vlefshme për kualifikimet për Kampionat Botëror në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Pas rreth dy viteve, pritet që Kosova ta ketë përkrahjen e tifozëve “Dardanët” në këtë takim, ndonëse me numër të limituar.
Vetëm 10% e kapacitetit të stadiumit do të jetë e disponueshme për tifozët dhe zyrtarët e institucioneve.
Ende nuk dihet saktë numri i “Dardanëve” që do të jenë në stadium, ndërsa tribuna lindore do t’u takojë atyre.
“Ende s’kemi zyrtare assgjë sa i përket numrit. Çfarë dihet deri tani është se tribuna lindore është e jona”, tha kryetari i “Dardanëve”, Lulzim Berisha.
Tutje, ai tha se sot do të ketë takim me Ministrinë e Shëndetësisë për të tentuar të lejohet 20% e kapacitetit të stadiumit, por tha që gjasat që kjo të ndodhë janë minimale.
“Unë sot kam takim me Ministrinë e Shëndetësisë, të shohim edhe pse gjasat janë tepër të vogla”, tha ai.
Pas ndeshjes me Greqinë, Kosova më 8 shtator e pret Spanjën po ashtu në stadiumin “Fadil Vokrri”.