Me një numër të lartë të personave të infektuar, dhe atyre që po humbin jetën nga COVID-19, po ballafaqohet Kosova ditëve të fundit, shkruan Gazeta “Enigma”.
Madje sipas ekspertëve shëndetësor Kosova është tashmë në valën e katërt të koronavirusit.
Ministria e Shëndetësisë, raporton në baza ditore se varianti Delta po prek edhe fëmijët dhe adoleshentët.
Varianti Delta sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në Shtetet e Bashkuara (CDC), vepron në atë formë ku përderisa një person i infektuar me variantin fillestar të koronavirusit infektonte dy persona, kurse me variantin Delta, një person i infektuar e transmeton virusin te pesë e më shumë persona.
Por, cilat janë simptomat kryesore të variantit Delta tek fëmijët?
Jashar Ramadani, pediatër, në një përgjigje për Gazetën ‘Enigma’, ka folur lidhur me simptomat e variantit Delta kundrejt varianteve të mëparshme.
“Mjekësia Yale raportoi se kollitja dhe humbja e nuhatjes janë më pak të zakonshme me variantin Delta, ndërsa dhimbja e kokës, dhimbja e fytit, rrjedhja e hundës dhe ethet janë ndër simptomat kryesore”, ka thënë Ramadani.
Ramadani ka folur edhe për simptomat e varianti Delta tek fëmijët.
“Kur simptomat manifestohen, zakonisht fëmijët nuk i kanë vështirësitë respiratore të cilat manifestohen tek të rriturit. Por gjithësesi simptomat që tërheqin vëmendjen janë: Temperatura, Dhëmbja e fytit, Vjellja dhe Diarea”, ka deklaruar ai.
Njëherit, Ramadani ka theksuar se ka raste kur edhe fëmijët kanë simptoma sikur edhe të rriturit, siç janë rrjedhje e hundëve, kollitje, vështirësi në frymëmarrje, plogështi me lodhje, kokëdhëmbje, dhëmbje trupi, humbja e sensit të shijës dhe të nuhatjes.
Tutje ai ka bërë me dije se varianti Delta është më shumë se dy herë më ngjitës se variantet e mëparshme, ku ka të dhëna që sugjerojnë se nga ky virus mund të shkaktohen edhe sëmundje më të rënda.
Si të mbrohen fëmijët nga Delta?
Xhevat Demiri, Infektolog në një përgjigje për ‘Enigmën’, ka thënë se mosha e fëmijëve të infektuar me variantin Delta sillet prej tre deri në nëntë vjeç.
“Në kohët e fundit kisha disa paicentë fëmijë me variantin Delta, mosha e të cilëve sillej nga tre deri në nëntë vjeç”, ka deklaruar Demiri.
Tutje ai ka folur për simtomat që paraqiten tek fëmijët.
“Simptomat e variantit Delta tek fëmijët janë këto: Të vjellura, diare, temperatur e lehtë, anoreksi, por është interesante se kollitje nuk ka tek fëmijët pozitv me variantin Delta, vlen të theksohet se kanë pasuar ankesa për dhimbje barku, dhe shqetësimet rreth ushqimeve”, është shprehur ai.
Sipas Demirit mbrojtja luan një rol shumë të rëndësishëm në parandalimin dhe luftimin e variantit Delta, në të gjitha moshat e sidomos te ato të fëmijëve dhe adoleshentëve.
“Fëmijët mbrohen si gjithë të tjerët, mos të ekspozohen aty ku ka shumë njerëz, ku ka pluhur, duhanpirës, rol shumë të veçant luan higjena personale, si dhe ushqimi të jetë kalorik dhe i lëngëshëm”, përfundoi ai.
Vlen të theksohet se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, personat mbi 12 vjeç janë të lejuar që të vaksinohen kundër COVID-19 me vaksinat Pfizer/BioNTech dhe Moderna.
Në studimin e Pfizer/BioNTech janë përfshirë mbi 4 mijë e 600 fëmijë nga mosha 11 vjeç deri në gjashtë muaj, kanë thënë për CNN nga kompania Pfizer.
Ndërkaq, në studimin e kompanisë Moderna janë përfshirë rreth 6 mijë e 700 fëmijë. Por, përderisa të dalin rezultatet e këtyre studimeve për të parë nëse edhe fëmijët nën 12 vjet mund të imunizohen, arma më e mirë për t’u mbrojtur nga Delta, sipas ekspertëve, është kujdesi./Gazeta Enigma/