Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes avokatit të tij, Gregory Keohe, ka kërkuar përjashtimin edhe të një gjyqtari nga Paneli i Apelit që do ta ketë në dorë vendimin për lirimin ose jo të tij nga paraburgimi.
Kjo është kërkesa e dytë e Thaçit, pas asaj për përjashtimin e vet presidentes Trendafilova nga funksioni i saj për caktimin e gjyqtarëve të Apelit në këtë çështje.
Emilio Gatti, është emri i gjyqtarit Italian në Speciale që avokati i ish-presidentit, Thaçi, Gregory Keohe, nuk po e do në Panelin e Apelit që do të vendos për lirimin ose jo nga paraburgimi të ish-drejtorit politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Këtë kërkesë, ish-presidenti Thaçi e ka parashtruar gjatë ditës së djeshme të përmbledhur në 20 faqe dhe gjashtë konkluzione.
Të gjitha këto ankesa të parashtruara nga avokati i Thaçit kanë të bëjnë me dyshimet e ngritura para pak ditësh ndaj kryetares së Speciales, Ekaterina Trendafilova, e cila sipas mbrojtjes ka zhvilluar konsulta me Prokurorinë pa dijeninë e mbrojtjes, duke shkelur kështu rëndë dispozitat ligjore.
Këto dyshime shfaqen në njërin prej argumenteve të avokatit të Thaçit në parashtresat e dorëzuara para disa ditësh në kërkesën për përjashtimin nga funksionet që ushtron Trendafilova.
“Argumentet e Prokurorit Special kundër kërkesës së zotit Thaçi në pritje për lirim të përkohshëm, të bëra në prani të Presidentes dhe pa dijeninë e Mbrojtjes, përbëjnë qartë komunikimet të ndaluara ex parte. Neni 11 i Kodit të Sjelljes Profesionale të DSK-së ndalon “kontaktin” me një gjyqtar në lidhje me bazueshmërinë e një rasti, “përveç rasteve kur është e përshtatshme brenda kontekstit të procedurës.” Nuk bën përjashtime nëse ai kontakt në thelb “nuk i drejtohej” gjyqtarit ose nëse nuk “kishte për qëllim të nxirrte ndonjë përgjigje ose veprim” nga ana e gjyqtarit, veçanërisht kur (si këtu) avokati është në dijeni të pranisë së gjyqtarit dhe se pala kundërshtare nuk është e pranishme”, thuhet në argumentimin e avokatit Keohe, shkruan lajmi.net, përcjellë Gazeta “Enigma”.
Gjithë pakënaqësitë e avokatit të Thaçit, Gregory Keohe me presidenten e Dhomave të Specializuara nisën kur kjo e fundit përjashtoi nga paneli i Apelit gjyqtarin Kai Ambos, i cili kishte lënë mundësinë e garancisë si një nga opsionet që mund t’ia siguronte lirimin e përkohshëm Thaçit.
Emilio Gatti është gjyqtari i cili me vendim të Trendafiloves, është emëruar në vend të Ambos i cili kishte lënë një rrugë hapur për lirimin e Thaçit nga paraburgimi.
Bazuar në konkluzionet e lartëpërmendura, mbrojtja e Thaçit ka kërkuar që përjashtimi i Gattit të mos shqyrtohet fare nga kryetarja e DSK-së, Ekaterina Trendafilova, por nga një zëvendës i saj, në këtë rast gjyqtari Charles Smith.
Avokati i Thaçit, tutje pretendon se vendimi për përjashtimin e Ambos është qartësisht jo-ligjor dhe ka të bëj ekskluzivisht me pakënaqësitë që ndërlidhen me mundësinë që ai e la të hapur për lirimin e Thaçit.
“Mendimi i gjyqtarit Ambos se Garancitë e Shtetit të Tretë mund të sigurojnë rrugën drejt lirimit të Thaçit, e vë atë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me parashtrimet ex parte të bëra nga z. Smith drejtuar Presidentit para sponsorëve ndërkombëtarë të Gjykatës. Si i tillë, një vëzhgues i arsyeshëm do të kuptonte paragjykimin në vendimin e Presidentit për të hequr vetëm gjyqtarin Ambos si gjyqtar i Kolegjit të Apelit që do të dëgjojë fjalimet e z. Thaçi në apelin e dytë për lirimin e përkohshëm dhe apelin e tij mbi juridiksionin, dhe ta ketë bërë këtë pa autoritet ligjor sipas Ligjit ose Rregullave”, thuhet në njërën prej parashtresave të avokatit të ish-presidentit Thaçi.
Kush është Emilio Gatti, gjyqtari Italian që Thaçi po kërkon përjashtimin e tij?
Gjykatësi Emilio Gati (Itali) punon që nga viti 2010 si prokuror publik në gjykatën e qarkut në Gjenovë (Genova).
Nga viti 2001 deri më 2008 ka qenë gjykatës për çështje penale në qarkun e Gjenovës dhe gjatë periudhës 1985-2001 ka punuar fillimisht si gjykatës për çështje penale e më pas si prokuror publik në gjykatën e qarkut të Savonës.
Nga 2008 deri më 2010, ai punoi për EULEX-in në Kosovë si gjykatës për çështje penale.
Gjykatësi Gati është diplomuar si jurist në Universitetin e Gjenovës (Itali).
Ai ka botuar gjerësisht në fushën e ndihmës juridike ndërkombëtare, të drejtës humanitare ndërkombëtare dhe të drejtës së trashëgimisë kulturore.