Mbrëmjen e së mërkurës, një tragjedi ndodhi në qytetin e Tetovës, ku janë djegur COVID-qendrat të cilat u ndërtuan muajit e fundit për të trajtuar pacientët me koronavirus, shkruan Gazeta “Enigma”.
Rreth orës 20:02 mediat vendore të Tetovës raportuan për zjarr në spitalin modul për COVID në Tetovë, ku si pasojë e këtij aksidentit dhjetëra pacient dhe staf mjekësor kanë humbur jetë.
Deri më tani është raportuar se vetëm pesë pacientë kanë arritur të shpëtojnë dhe po të njëjtit janë nisur për spitalin e Shkupit në gjendje të rënduar shëndetësore.
Dyshimet e para janë që eksploduar bombola e oksigjenit.
Zëvëndës komandanti i zjarrfikëseve në Tetovë në një deklaratë për media ka bërë të ditur se rasti është lajmëruar në orën 20:02 ndërsa zjarri është shuar në 21:45.
Më shumë se 30 zjarrfikës kanë intervenuar në këtë zjarr, me shtatë makina zjarrfikëse.
Përveç ekipeve të zjarrfikësve në vendin e ngjarjes janë parë edhe turma të shumta të qytetarëve të cilët kishin shkuar të kontrollojnë familjarët e tyre.
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe në një postim në “Twitter”, ka njoftuar për aksidentin në Spitalin COVID të Tetovës, por njëkohësisht i ka bërë thirrje qytetarëve dhe mediave që të mos spekulojnë me numrat e viktimave.
“Në Tetovë ka ndodhur tragjedi, e cila ka marrë jetë njerëzish. Deri tani janë konfirmuar dhjetë viktima nga zjarri, por numri mund të rritet. Është ditë e vështirë për të gjithë”, ka shkruar ai.
“Mjekët por luftojnë për jetët e të lënduarve. Apeloj tek mediat dhe qytetarët të mos spekulojnë me numra. Të gjitha informacionet e konfirmuara do t’i ndajë në kohë”, ka shkruar tutje Filipçe.
Ndërkaç, Kreministri i Maqedonisë, Zoran Zaev ka reaguar përmes një statusi në rrjetin social në Facebook duke shprehur ngushllime familjavëve të viktimave dhe ka uruar shërim të shpejtë të plagosurve.
“Një tragjedi e madhe ka ndodhur në qendrën për COVID në Tetovë. Një shpërthim shkaktoi një zjarr. Zjarri është shuar, por edhe shumë jetë janë shuar. Lufta për jetën ende po vazhdon, dhe të gjitha shërbimet kanë reaguar me sakrifica dhe shpëtim njerëzish” ka shkruar Zaev.
“Kjo është një ngjarje vërtet tragjike dhe mund t’ju siguroj se e gjithë lidershipi shtetëror është i përkushtuar për zgjidhjen e shpejtë të kësaj situate. Aktualisht është mbledhur Shtabi i krizës në Komunën e Tetovës”, ka shtuar tutje ai.
Kryetarja e Komunës së Tetovës Teuta Arifi, nga spitali ka folur mbrëmjen e kaluar për rastin.
Ajo ka deklaruar se ende nuk dihet për numrin e viktimave.
Kurse, Fadil Cana, Infektologu nga Klinika Infektive në Shkup ka reaguar pas zjarrit në COVID-Qendrën në Tetovë.
“Tragjedi dhe katastrofë për të cilën duhet kërkuar llogari dhe përgjegjësi nga të gjithë defiluesit e sontëm”, ka shkruar Cana.
Reagime për tragjedinë ka pasur edhe në Kosovë, shkruan tutje Gazeta “Enigma”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar mbrëmë një bisedë telefonike me kryetaren e komunës së Tetovës, Teuta Arifi, pas rastit tragjik që ka ndodhur në spitalin e Tetovës.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti porsa zhvilloi sonte një bisedë telefonike me Kryetaren e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, për ngjarjen e rëndë në një spital modular atje. Eksplodimi i fuqishëm duket që ka marrë shumë jetë njerëzish, kryesisht pacientë. Kurti i shprehu ngushëllime Kryetares Arifi për këtë tragjedi dhe gatishmërinë për ndihmë, për çfarë Kryetarja Arifi e falënderoi kryeministrin. Lutemi që të ketë sa më pak viktima nga zjarri që po shkrumbon spitalin e COVID në Tetovë. Jemi të gjithë me shpirt e zemër pranë Tetovës, mjekëve e pacientëve”, thuhet në njoftimin e bërë nga zyra e Kryeministrit.
Deri më tani nuk dihen ende shkaqet e zjarrit në Spitalin COVID të Tetovës, ndërsa bëhet e ditur se organet kompetente janë duke punuar në zbardhjen e rrethanave që arriti deri në djegien e Spitalit COVID të Tetovës./Gazeta Enigma/.