Sali Berisha, ka reaguar pas vendimit të Lulizm Bashës për ta përjashtuar nga Grupi Parlamentar i PD-së.
Berisha tha se përpara se të përjashtonte atë nga grupi parlamentar, Basha duhet të ishte dorëhequr vetë dhe se ai ka asgjësuar PD-në, si “parti sovrane”.
“Vendim jashtë çdo lloj norme statutore dhe ligji të vendit. Një vendim të tillë, një njeri që respekton parimet më elementare, të një force politike të lirë, nuk mund ta marrë.
Unë e kuptoj, presionin e jashtëzakonshëm që ai ka patur, por pavarësisht presionit, mendoj se disa herë më parë duhet të konsideronte dorëheqjen e tij, sesa të dorëzonte sovranitetin e PD-së.
Sovraniteti i PD-së, që është institucion, me njoftimin që shpalli zoti Basha, dëshmoi se, bëri atë që nuk bëri Ilirjan Celibashi.
Vendosi të dorëzojë sovranitetin, faktikisht të asgjësojë PD-në si parti sovrane, për shkak të presioneve të jashtëzakonshëm e të lobimit korruptiv të Edi Ramës dhe George Soros.
Jam i sigurt që Bashën e kanë kërcënuar me sanksione.
Vendimi është nul dhe void, sepse është vendim i tij dhe jo i forumeve të PD. Thelbi është dorëzimi i sovranitetit të PD-së. Mendoj se Shqipëria me këtë rast, ka humbur, sepse vetëm një forcë politike sovrane mund të qeverisë vendin, mund të jetë opozitë e pavarur për interesin publik”, tha Berisha.
Largimi i Berishës nga PD vjen pasi Departamenti amerikan i Shtetit, i ka ndaluar hyrjen në territorin amerikan atij dhe anëtarëve të familjes së tij të ngushtë, për shkak të përfshirjes së tij në siç është thënë korrupsion të gjerë.
Në deklaratën e Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, thuhej se Berisha, në cilësinë e tij zyrtare, në veçanti si kryeministër i Shqipërisë, ishte i përfshirë në veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike.
Sipas Departamentit amerikan të Shtetit, ish-kryeministri shqiptar, ka përdorur pushtetin e tij për përfitime dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij.
“Këta individë nuk janë të përshtatshëm për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara”, thuhet në deklaratën e SHBA-së.
Shtetet e Bashkuara e arsyetojnë vendimin me faktin se, i njëjti është në vazhdën e riafirmimit të përkrahjes së SHBA-së, për reformat kryesore politike dhe institucionet demokratike të Shqipërisë.
Berisha i ka mohuar të gjitha akuzat dhe ka kërkuar që të publikohen fakte.