Dymbëdhjetë pacientët e shpëtuar nga tragjedia në spitalin modular në Tetovë janë në gjendje të qëndrueshme shëndetësore.
Sipas koordinatorit të Qendrës për kovid Gëzim Nuredini, pacientët nuk kanë as lëndime trupore pasi kanë arritur të dalin shumë shpejtë nga spitali.
“Pacientët e rinj të prekur nga COVID-19 po trajtohen. Sa iu përket pacientëve të shpëtuar janë në numër 12, dhe të gjithë janë mirë dhe të dislokuar në repartin internistik kati i parë dhe i dytë ku edhe më parë e kishim si qendër kovid. Ata nuk kanë asnjë lloj lëndimi trupor dhe janë në gjendje të mirë. Për momentin ka të hospitalizuar 57 pacientë ndërsa kontrolle ambulatore 36, pra ka zvogëlim të dukshëm. Për fat të keq kemi një rast vdekjeje një pacient i 1949 me komorbiditete të ndryshme”, ka deklaruar Gzim Nuredini, koordinator i COVID qendrës.
Pavarësisht djegies se spitalit modular, dhe numrit të lartë të infektimeve me COVID-19 në rajonin e Tetovës, autoritetet thonë se kanë kapacitete të mjaftueshme për trajtimin e pacientëve. Rastet e reja do të trajtohen në raportin intern të spitalit klinik të Tetovës.