Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë kanë zgjedhur Lindita Nikollën kryetare të këtij institucione.
Ajo mori vota 79, kryesisht nga deputetët e Partisë Socialiste, pasi deputetët e Partisë Demokratike, në shenjë proteste kanë grisur fletët e votimit.
Mirëpo pas këtij veprimi, edhe kryesocialisti Edi Rama bëri lëvizjen e tij simbolike. Ai mblodhi të gjitha fletët e votimit të grisura dhe i futi ato në një qese.
Ishte kryeministri Rama, ai që njoftoi para një jave se Lindita Nikolla do të drejtojë punët e Kuvendit. Ai e vlerësoi atë si një grua me kontribut të veçantë dhe një shembull të përkushtimit të ndershmërisë në kryerjen e çdo detyre.
Lindita Nikolla vjen në krye të parlamentit pas zgjedhjeve të 25 Prillit. Ajo pritet që të ketë një detyrë të vështirë pasi pas dy vitesh është rikthyer në Kuvend edhe opozita dhe pritet që seancat të jenë të mbushura plot debate dhe retorika politike.
Kush është Lindita Nikolla?
Lindita Nikolla lindi në Tiranë, më 22 Tetor 1965. Ajo është e martuar me Ligor Nikollën dhe ka një vajzë që quhet Livia. Nikolla, në korrik 2010 ka kryer studimet Master në Administrim Publik, drejtimi Pushtet Ekzekutiv, pranë Albanian University dhe në vitin 1989 ka përfunduar studimet universitare pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës, dega Matematikë, Universiteti i Tiranës. Ajo ka hyrë në politikë në vitin 2003. Gjatë viteve 2003–2006 është zgjedhur si Këshilltare e Këshillit të Njësisë Bashkiake Nr.1, Tiranë. Është zgjedhur për dy mandate në periudhën 2007-2011 dhe 2011-2013, Kryetare e Njësisë Bashkiake Nr.1 Tiranë. Në zgjedhjet e 23 Qershorit 2013, zgjidhet deputete e qarkut të Tiranës.
Nga shtatori i vitit 2007, Nikolla është anëtare e Kryesisë së Partisë Socialiste. Në vitin 2006 ka përfunduar Akademinë për Udhëheqësi dhe Reformë pranë Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim (NDI) në Tiranë dhe në qershor të vitit 2008 ka kryer Akademinë mbi Policimin Komunitar dhe Qeverisjen Vendore në Universitetin e Pitsburgut, SHBA. Nikolla ka kryer gjithashtu një sërë kualifikimesh në menaxhimin e shkollës dhe mësimdhënien e matematikës, si dhe për fuqizimin e gruas në vendimmarrje. Nikolla zotëron gjuhën angleze dhe njeh gjuhën frënge e atë italiane.
Në vitin 2013, Lindita Nikolla u emërua nga Kryeministri Edi Rama si Ministre e Arsimit dhe Sportit.