Feronikeli ka fituar 2-0 në udhëtim te Llapi në kuadër të javës së tretë në BKT Superligën e Kosovës.
Llapjanët e filluan më mirë takimin, duke sulmuar nga minuta e parë, derisa në të 20-në menduan se kishin fituar një penallti.
Por, pas konsultimit të gjyqtarit me VAR-in, u bë e ditur se aty nuk kishte 11 metërsh dhe ndeshja vazhdoi.
Pas vetëm dy minutash nga kjo situatë, ndeshja u ndërpre për disa minuta, pasi kishte shumë tifozë në tribuna dhe kërkohej largimi i tyre për shkak të rregullave anti-COVID.
Gjyqtari më pas dha tetë minuta lojë shtesë, e që Nikli kishte mundësi të shënonte golin e parë të takimit.
Në minutën e 45+2, Dren Gashi kaloi në epërsi skuadrën nga Drenasi, për të shkuar kështu në pushimin e pjesës së parë me epërsi.
Për dallim në 45 minutat e parë, e dyta filloi më mirë për mysafirët, që shënuan edhe të dytin.
Ishte Diar Prokshi që realizoi golin e dytë për Feronkielin në minutën e 64-të.
Nikli arriti që të krijonte edhe raste të tjera, mirëpo u mungoi konretizimi, por që siguruan tre pikë.
Pas javës së tretë, Feronikeli është në vendin e gjashtë me tre pikë, gjersa Llapi në të tetin me dy sosh.