Sa mërgimtarë nga Zvicra u infektuan gjatë pushimeve në Kosovë?

Sa mërgimtarë nga Zvicra u infektuan gjatë pushimeve në Kosovë?

Nga fundi i gushtit, 70 deri në 80 për qind e pacientëve të kujdesit intensiv në Kantonin e Cyrihut ishin njerëz me prejardhje të huaj.

Për herë të parë, kantoni i Cyrihut ka publikuar dje të dhënat kryesore mbi origjinën e pacientëve me koronavirus, të shtruar në njësitë e kujdesit intensiv. Këta, në rastet më të shpeshta konsiderohet se janë infektuar jashtë vendit.

Çdo shtrat i tretë i kujdesit intensiv në Zvicër është i zënë nga një pacient me koronavirus.

Njësoj është edhe në kantonin e Cyrihut, shkruan gazeta NZZ në një artikull të zgjeruar lidhur me perkatësinë nacionale të të sëmurëve rëndë nga COVID-19, në spitalet zvicerane.

Një numër i mirë i këtyre njerëzve të infektuar kanë prejardhje të huaj ose janë infektuar jashtë vendit.

Por megjithatë nuk ka pothuajse asnjë shifër të saktë, kemi vetëm vlera të përafërta- dhe një numër të madh të rasteve të paraportuara.

Në një azhurnim më 24 gusht, Task Forca Federale shkencore pati komentuar për herë të fundit lidhur me vendet e mundshme të infeksionit. Sipas komentit të saj, gjashtë nga dhjetë pacientë të shtruar në spitale nuk kishin qenë në gjendje të bënin asnjë deklaratë rreth asaj se ku janë infektuar.

Por, nga pacientët e mbetur katër të pestat kanë deklaruar Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut si vend infektimi.

Tani departamenti i shëndetësisë në Cyrih ka ekzaminuar numrat e javëve të fundit dhe, në këtë kuadër, ka identifikuar dy valë të mëdha emigracioni, shkruan “NZZ”.

Sipas këtij prezantimi, të infektuarit janë kthyer fillimisht nga destinacionet e njohura turistike si Mallorca, Ibiza, Barcelona, Madridi dhe ishujt grekë gjatë valës së parë të infeksioneve, në fillim të korrikut. Në atë kohë, ata që ktheheshin nga udhëtimet (turistike) përbënin rreth një të katërtën e rasteve.

Në fillim të gushtit, kur numri javor i rasteve në Kantonin e Cyrihut ishte rritur në 1,200 raste, ata që ktheheshin nga pushimet tashmë përbënin një të tretën e infeksioneve, përcjell albinfo.ch.

Edhe këtu bëhej fjalë kryesisht për të kthyer nga destinacionet e përmendura turistike Kjo është arsyeja pse mosha mesatare e atyre që ishin testuar pozitivisht, ishte 29 vjeçare.

Por pak para përfundimit të pushimeve verore të Kantonit të Cyrihut, domethënë deri në mes të gushtit, numri i rasteve rritet në rreth 2,300 infeksione të reja në javë. Gjysmën e tyre e përbënin të kthyerit nga pushimet. Tani, gjysma e kësaj kategorie ishin ata që po ktheheshin nga destinacionet turistike  dhe gjysma tjetër nga Evropa Juglindore, kryesisht Kosova dhe Maqedonia e Veriut, përcjell albinfo.ch. Në fund të gushtit kishte 3,350 raste të reja.

30 për qind e tyre ishin të kthyer nga pushimet, shumica nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova.

Gazeta, duke bërë hulumtimin, ka shikuar edhe ngarkimin e njësive të kujdesit intensiv. Që nga 7 shtatori, pothuajse gjysma e atyre që u shtruan në spitale për Corona ishin zviceranë ndërsa 20 për qind kishin pasaportë nga një vend i Evropës Juglindore. Në njësitë e kujdesit intensiv, numrat gjegjësisht proporcionet ishin praktikisht identikë.

Sidoqoftë, autoritetet kantonale theksojnë se kombësia e pacientit nuk është në plan të parë të preokupimeve të tyre. Në lidhje me rrugët e infeksionit, të dhënat nga gjurmimi i kontakteve janë shumë më vendimtare.

Rega fluturon pothuajse çdo ditë në Prishtinë dhe në Shkup

Një tregues se Corona në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut përbën ende një lajm për Zvicrën e japin regjistrimet e fluturimeve të avionëve të ambulancës ajrore  (REGA) në faqen e internetit të Flightradar24, shkruan NZZ, transmeton albinfo.ch. Gjatë javëve të fundit, avionët Rega kanë zbritur pothuajse çdo ditë në Prishtinë, Kosovë dhe në Shkup, Maqedoni e Veriut.

Ndonjëherë ka pasur edhe disa fluturime në ditë në këto relacione. Ndërkaq Rega nuk ka fluturuar pothuajse fare në destinacionet e tjera klasike të pushimeve, si Ishujt Kanarie, në të njëjtën kohë.

Por Rega nuk bën të ditur përse aktualisht po aterron kaq shpesh në Prishtinë dhe Shkup. “Blick” ka shkruar të shtunën se nga gjithsej rreth 80 pacientë të kujdesit intensiv që prisnin riatdhesimin në të gjithë botën, shumica e tyre janë të infektuar nga korona dhe kanë pasur rrjedhë të rëndë të sëmundjes.

Siç është shkruar tashmë, Zvicra i është përgjigjur numrit të lartë të rasteve në regjione të Evropës Juglindore, shkruan albinfo.ch. Ajo ka shtrënguar kriteret e hyrjes për vizitorët nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut që nga 13 shtatori: Ata lejohen të vijnë në Zvicër vetëm nëse mund të paraqesin dëshmi të vaksinimit. Por nuk ka kufizime për ata që kanë pasaportë zvicerane.

Related Articles